Connect with us

Kosovë

ZRRE-ja nën “kthetrat” e KEDS’it- Sa të afërt janë ‘kokat’ e rregullatorit me kompaninë turke që po arsyetojnë shtrenjtimin e çmimit të rrymës?

Published

on

Zyra e Rregullatorit të Energjisë (ZRRE) po e bën punë gati se të kryer çështjen e shtrenjtimit të energjisë elektrike për 15 për qind. Kështu të paktën u deklarua kryeshefi i rregullatorit, Ymer Fejzullahu, i cili iu uroi fat qytetarëve që vitin tjetër të ketë çmime më të lira. Rrjedhimisht, shkaktor kryesor për rritjen e çmiit të energjisë elektrike është rritja e çmimit të bursës. Përgjatë ditës së djeshme, në skenë u shfaq edhe drejtori menaxhues i ZRRE’së, Petrit Pepaj, që mbështeste rritjen e çmimit të rrymës. Fejzullahu e Pepaj, kryesorët e ZRRE-së që supozohet të jenë të pavarur, janë parë të afërt me kompaninë për distribuimin e rrymës, KEDS. Insajderi ju sjell detaje:

Qytetarë, sindikata, biznese e Presidenca po e kundërshtojnë tërësisht shtrenjtimin edhe një herë të energjisë elektrike, që parashihet të jetë përreth 15 për qind. Lidhur me këtë, një grup i qytetarëve po e kundërshtojnë zëshëm, për çka edhe pati protesta, shkruan Insajderi.

LEXO EDHE:

Të premten është paralajmëruar edhe një protestë tjetër, më 11 prill, në ditën kur pritet që ZRRE-ja ta marrë vendimin lidhur me këtë.

Zyra e Rregullatorit mbajti përgjatë ditës së djeshme takim informues me mediat, ku shkaktar kryesor e ka bërë rritjen e çmimit të bursës.

“Në momentin kur e kemi publikuar raportin e konsultimit kemi deklaruar se për këtë rritje shkaktari kryesor është çmimi që ka ndodhur në bursa. Nuk ka diçka tjetër që ka ndodhur. Ne jemi duke punuar me orar të zgjatur, do të arrijmë që të përgjigjemi në komentet e qytetarëve  deri më 11 prill, kur  mund të jemi të gatshëm. Vendimi, që pritet të merret më 11 prill pritet të fillojë zbatohet më 1 maj”, ka thënë drejtori i ZRRE’së, Petrit Pepaj.

Sidoqoftë, kërkesa për shtrenjtim të rrymës ka ardhur nga të gjithë operatorët. Në mesin e tyre ka qenë edhe kompania për distribuimin e saj, KEDS.

Insajderi pati raportuar për arsyetimet e çuditshme të KEDS-it në kërkesën për rritjen e të hyrave maksimale.

Në kategorinë “Shpenzimet operative dhe të mirëmbajtjes gjatë vitit 2024”, KEDS thoshte se vendimi i Qeverisë Kurti për rritjen e pagës minimale në vlerë prej 350 eurove ka ndikuar në strukturën e kostove për shërbimet e mirëmbajtjes dhe sigurimit.

Gjithashtu, ndryshimi i kushteve të tregut dhe politikave sociale, sikurse rritja e pagës minimale në Kosovë në vlerë prej 350€ kanë ndikuar në strukturën e kostove për shërbimet e mirëmbajtjes dhe sigurimit, përfshirë sigurimin e objekteve fizike. Pra, rritja e pagës minimale kishte ndikim të drejtpërdrejtë në ofrimin e këtyre shërbimeve nga kontraktorët, duke bërë që ata të rrisin kostot e shërbimeve që ofrojnë, në përputhje me kërkesat e reja të pagave. Reflektimi i këtyre kostove ishte i domosdoshëm për të mundësuar vazhdimësinë e operimit të funksionit të shpërndarjes”, thuhej pos tjerash në aplikacionin e KEDS’it.

Sidoqoftë, dy “kokat” e ZRRE’së janë parë të afërt me kompaninë distribuese të energjisë që parashtroi kërkesë për rritje të çmimit të rrymës.

Ymer Fejzullahu, kryeshef ekzekutiv i rregullatorit të pavarur, ishte ftuar nga KEDS-i që ta prisnin bashkë torten në nder të 10-vjetorit të operimit të kompanisë në Kosovë.

Prezent në fotografi shihen dy pronarët turq të KEDS-it.

Lidhje të mëhershme me KEDS-in ka edhe drejtori ekzekutiv, Petrit Pepaj. Ai në një llogari, të cilën duket se nuk e shfrytëzon aktualisht, tregon se ka punuar në kompani si drejtor i Departamentit për Kujdes të Konsumatorëve.

Gjithsesi, të njëjtën përvojë të punës nuk e ka të theksuar në llogarinë e re, ku përvojën e tij e shënon vetëm si drejtor i ZRRE-së.

Se ka afërsi Pepaj me KEDS’in, e dëshmon edhe një raportim i Gazetës Insajderi përpara gjashtë vitesh.

Ai kishte takuar në mbrëmje dy prej shefave të kompanive KEDS dhe KESCO, të cilat e ka për obligim që t’i mbikëqyrë.

Takimin ai kishte zgjedhur që ta realizojë në kafene dhe në ambiente miqësore, në vend që të zhvillojë takim në zyre me ta, duke hedhur dyshime për konflikt interesi.

Në takim me Pepajn ishin Alper Erbas, drejtor në KESCO dhe Ermal Koçi, atëkohë drejtor në KEDS.

ZRRE shpeshherë ka qenë qendër kritikash lidhur me vendime që thuheshin se favorizonin KEDS-in.

Përgjatë ditës së djeshme, ZRRE’ja shfaqi mostransparencë duke mos respektuar kushtet të paralajmëruara paraprakisht nga vetë rregullatori në ftesën që iu dërgonte mediave.

Sipas ftesës së ZRRE-së dërguar mediave, ishte paralajmëruar se xhirimi me kamerë do të lejohej në dhjetë minutat e para të takimit. Mirëpo, në momentin e zhvillimit të tij, një gjë e tillë nuk është lejuar, duke nxitur reagime dhe pakënaqësi nga gazetarët pjesëmarrës.

Më pas, ZRRE-ja e kishte lejuar një gjë të tillë.

Shtrenjtimin e energjisë elektrike nuk e ka kundërshtuar fort edhe Qeveria Kurti. Ministrja e Ekonomisë në detyrë, Artane Rizvanolli kanë thënë se i kanë propozuar ZRRE’së që të mos ketë rritje të çmimit, për konsumatorët që konsumojnë deri në 800 kWh në muaj. /Insajderi.org/

1