Lajme
Nis shkolla politike e Lëvizjes BESA: Fokus në edukimin dhe angazhimin politik të të rinjve
Me pjesëmarrjen e dhjetëra të rinjve nga e gjithë Maqedonia e Veriut, sot nisi edicioni i parë i Shkollës Politike të Lëvizjes BESA, një platformë edukative që synon të kultivojë mendimin kritik dhe angazhimin politik ndër brezat e rinj.
Sesioni i parë i shkollës u hap me modulin “Shteti Modern dhe Ideologjitë Politike”, ku profesori Abdyl Nentor Musliu ligjëroi mbi zhvillimin historik të shtetit modern dhe ndikimin e nacionalizmit si ideologji në ndërtimin e shteteve-komb.
Diskutimi mbi teoritë politike vijoi me një analizë filozofike nga profesori Hysamedin Feraj, i cili ndau pikëpamjet e tij mbi kapitalizmin dhe liberalizmin si sisteme ideologjike që formësojnë realitetin modern.
Në ligjëratën përmbyllëse, profesori Elvis Hoxha trajtoi lidhjen mes idesë dhe tekstit, duke e cilësuar këtë raport si thelbësor në procesin e të menduarit dhe veprimit politik.
Nismën e re e përshëndeti edhe kryetari i Lëvizjes BESA, Bilall Kasami, i cili vlerësoi rëndësinë e edukimit politik për të rinjtë dhe rolin e tyre në ndërtimin e një shoqërie demokratike dhe të drejtë.
Shkolla Politike pritet të vazhdojë me sesione të rregullta, ku do të diskutohen koncepte, ide dhe vizione të ndryshme që lidhen me politikën, shoqërinë dhe filozofinë bashkëkohore.