Lajme
Kur krimi është dhe idiot: tre fëmijë, gabimisht nën breshëri plumbash në Tiranë
Një natë më parë në Tiranë, pre e një atentati ranë djemtë e mitur të pronarit të kompanisë private Pelikan Secyrity, Vesel Bardhi Demiraj.
Ngjarja e rëndë u regjistrua rreth orës 21:50 të mbrëmjes të së enjtes ku persona ende të paidentifikuar qëlluan me breshëri plumbash drejt automjetit me të cilin po udhëtonin dy djemtë e Demirajt, Dior Demiraj, 11 vjeç, Marko Bardhi Demiraj, 17-vjeç dhe shoku i tyre 19-vjeçar, Kian Mullaj.
Automjeti tip G-Class me të cilin tre të rinjtë po udhëtonin po drejtohej nga 34-vjeçari Arenc Stafa, i cili rezulton se është punonjës i kompanisë “Pelikan Security” dhe në momentin ku dhe ndodhi ngjarja ishte shoqëruesi i tyre. Si pasojë e plumbave mbetën të plagosur katër personat që ndodheshin në këtë mjet, ndërkohë që 11-vjeçari ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore dhe po lufton për jetën në spitalin e Traumës.
Raportohet se Dior Demiraj ditën e djeshme festoi ditëlindjen e tij të 11-të. Ndërkohë, burime për mediat bëjnë me dije se në momentin kur dhe ndodhi atentati ata po ktheheshin nga festa e ditëlindjes.
I mituri, së bashku me vëllain e tij dhe shokun e tyre 17-vjeçar kishin shkuar me automjetin në pronësi të Vesel Demirajt në pistën e garave në Pjezë.
Pasi kishin festuar aty ata, të shoqëruar nga 34-vjeçari, ishin nisur për t’u kthyer për në Tiranë, në Lundër për të vazhduar festën e ditëlindjes së 11-vjeçarit me familjarët.
Sipas informacioneve të bëra me dije deri më tani, gjatë kthimit ata ishin futur në Unazë për të dalë në Lundër dhe kur janë futur te rrethrrotullimi i Shkozës, rreth orës 21:30, teksa po vijonin rrugën për në autostradë, një automjet tjetër tip fuoristradë i zuri pritë dhe filloi të qëllojë në drejtim të tyre.
Breshëria e plumbave ka vijuar deri te Agropark, Tregu Agro Ushqimor, ku dhe ka qenë pika kulminate e të shtënave me armë. Drejtuesi i G-Class-it, 34-vjeçari Stafa ka tentuar t’i shmanget plumbave me aq sa ka mundur dhe të shpëtojë tre të rinjtë, por si pasojë e plagëve të marra ai humbi ndjenjat në zonën e Lundrës.
Aty më pas kanë qenë njerëzit e rastësishëm të cilët kanë kaluar në rrugë dhe kanë njoftuar menjëherë Policinë, ndërkohë që thuhet se katër të plagosurit kanë qenë vetë qytetarët ata të cilët me mjetet e tyre private i kanë transportuar për në Spitalin e Traumës.
Ngatërrim shënjestre?
Gazetarja Klodiana Lala ka raportuar së fundmi se shënjestër e këtij atentati nuk ka qenë asnjë nga personat të cilët ndodheshin në automjetin tip G-Class. Por, nga informacionet e grumbulluara deri më tani thuhet se vrasësit me pagesë kanë ngatërruar shënjestër.
Mësohet se në “rreth të kuq” ka qenë bashkëshortja e të ndjerit Roan Brahimi, babai i të cilit u vra po ashtu ditën e djeshme rreth një orë para se të ndodhte ngjarja në Tiranë.
Breshëria e plumbave që u zbrazën një natë më parë në drejtim të automjetit me të cilin po udhëtonin dy djemtë e Demirajt, Dior Demiraj, 11 vjeç, Marko Bardhi Demiraj, 17-vjeç, shoku i tyre 19-vjeçar, Kian Mullaj dhe punonjës i kompanisë Pelikan Security, Arenc Stafa, në të vërtetë ishin nisur për gruan e Roan Brahimit, ky i fundit i ekzekutuar një vit më parë në Greqi.
Mësohet se automjeti që përdor bashkëshortja e Brahimit është e njëjtë me atë që u qëllua. /tesheshi.com/