Kosovë
Kapen në Merdar 51 mijë euro të padeklaruara – katër shtetas serbë me mbi 10 mijë euro secili
Dje në pikëkalimin kufitar në Merdar, Policia e Kosovës ka ndaluar dhe kontrolluar katër shtetas të Serbisë që po udhëtonin në këmbë, duke zbuluar një shumë të konsiderueshme parash të padeklaruara.
Sipas njoftimit zyrtar, ngjarja ka ndodhur më 15 prill 2025, rreth orës 15:30.
Gjatë kontrollit të detajuar të udhëtarëve në dalje të territorit të Republikës së Kosovës, në çantat e dorës të katër shtetasve serbë janë gjetur gjithsej 51,170 euro në banknota, të cilat nuk ishin deklaruar në përputhje me ligjin.
Çdo njëri prej personave mbante me vete më shumë se 10,000 euro, çka përbën shkelje të rregullave doganore nëse nuk deklarohen në mënyrë të duhur.
Rasti është trajtuar nga zyrtarët doganorë, të cilët kanë marrë masat përkatëse dhe kanë shqiptuar kundërvajtje doganore ndaj të katër udhëtarëve.