Connect with us

Kosovë

Deputeti i Listës Serbe i bashkohet AAK-së, më herët kishte pranuar se vepronte me “lejen” e Milan Radojçiqit

Published

on

Deputeti i Listës Serbe që veproi në bazë të urdhrave të Milan Radojçiqit, i është bashkuar grupit parlamentar të AAK-së. Në seancën e Kuvendit të mbajtur dje, ai ishte i ulur pas shpinës së Ramush Haradinajt. Ai për kolegët gazetarë ka konfirmuar vërtetësinë e këtij kalimi.

Por kush është Adem Hoxha, dhe pse AAK-ja po injoron faktin se ai ishte një nga veglat e Radojçiqit brenda Kuvendit të Kosovës? Gazetarja e Insajderit, Dijellza Preniqi, ju sjell një përmbledhje.

Në vitin 2020, deputeti goran iu bashkua grupit parlamentar të Listës Serbe. Në fund të vitit të kaluar, kreu i AKR-së, Behgjet Pacolli, kishte deklaruar se kishte kontaktuar nënkryetarin e atëhershëm të Listës Serbe, Milan Radojçiq, për të diskutuar sigurimin e votave të munguara për zgjedhjen e Vjosa Osmanit presidente.

Sipas Pacollit, pas një telefonate mes tij dhe Radojçiqit, ky i fundit i kishte konfirmuar se Adem Hoxha do ta votonte Osmanin. Rrjedhimisht, Hoxhës iu dha leja nga nënkryetari serb në atë kohë për të vepruar në këtë mënyrë.

Pacolli kishte deklaruar: “Në fillim, Radojçiq nuk pranoi të dërgonte askënd. Ishim në makinë, unë dhe shoferi, duke shkuar në shtëpi, kur më telefonoi dhe më tha: ‘Shiko, po më vjen shumë rëndë ta refuzoj këtë që po ma kërkon. Nesër, në ora tre, deputeti Adem Hoxha do të jetë para Parlamentit dhe do të marrë pjesë.’ Dhe kështu ndodhi. Besoj që i kam shërbyer vendit, zotit Kurti dhe zonjës presidente.”

Fjalët e Pacollit ishin konfirmuar edhe nga Lista Serbe. Në një reagim publik, pas fjalimit të Ministres në detyrë tashmë të Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, në seancën e Këshillit të Sigurimit të OKB-së – ku ajo përmendi kryeterroristin Milan Radojçiq dhe lidhjet e tij me politikanë të rëndësishëm në Serbi – Lista Serbe reagoi duke thënë se Gërvalla është e fiksuar pas Radojçiqit. Ata theksuan se nuk duhet harruar që me urdhër të Albin Kurtit, Radojçiq ishte kontaktuar dhe ishte lutur për të siguruar votën e munguar për zgjedhjen e presidentes.

Gjithashtu, edhe vetë Adem Hoxha kishte deklaruar se me urdhër të kësaj partie nuk kishin marrë pjesë në seancën e parë të votimit për Vjosa Osmanin, por se me urdhër të Milan Radojçiqit kishin marrë pjesë dhe kishin votuar në seancën pasuese.

Kujtojmë se Haradinaj gjatë kohësa sa ishte kryeminister i vendit, e kishte pritur në zyrën e tij Radojciqin, madje ka fakte se ata janë takuar me njëri-tjetrin edhe një herë tjetër përveç saj.