Bota
“Bota po hesht para gjenocidit”: Erdoğan kërkon veprim global kundër masakrave izraelite
Presidenti i Türkiyes, Recep Tayyip Erdoğan, dënoi ashpër veprimet ushtarake të Izraelit në Gaza, akuzoi qeverinë izraelite për kryerjen e masakrave pa dallim kundër palestinezëve dhe kritikoi heshtjen e bashkësisë ndërkombëtare, TRT Balkan.
“Në një gjendje të çmendurisë së plotë, qeveria izraelite po masakron palestinezët pa asnjë dallim”, tha Erdoğan gjatë një takimi të një grupi parlamentesh në mbështetje të Palestinës në Istanbul.
“Gazetarët po vriten në Gaza ndërsa mediat globale po qëndrojnë spektatorë. Fëmijët po vriten ndërsa mbrojtësit e të drejtave të njeriut vetëm shikojnë”, shtoi ai.
Erdoğan kritikoi vendet perëndimore për ato që ai i përshkroi si standarde të dyfishta, duke thënë: “Madje, në incidentin më të vogël, shtetet perëndimore janë të shpejtë për të vendosur sanksione, por unë pyes, ku janë ata kundër Izraelit?”.
“Për 18 muaj, ata që predikonin me vite për lirinë, të drejtat e njeriut, lirinë e shtypit, i kanë mbyllur sytë ndaj politikës së masakrave të Izraelit”, tha ai.
Presidenti turk tha se afro 60 mijë palestinezë janë “vrarë brutalisht” që nga 7 tetori 2023, shumica prej tyre gra dhe fëmijë, dhe paralajmëroi se “çdo propozim që synon të dëbojë palestinezët nga toka ku ata kanë jetuar për mijëra vjet nuk ka vlerë për ne”.
Erdoğan theksoi se kauza palestineze është “një luftë për dinjitet” dhe një qëndrim për “njerëzinë, paqen dhe drejtësinë”, duke i kërkuar shoqërisë që pësoi gjenocid 75 vjet më parë të ngrejë zërin dhe t’u thotë “mjaft” udhëheqësve të saj.
Ai akuzoi ata që qëndrojnë të heshtur ndaj vrasjeve në Gaza për përpjekje për të “normalizuar gjenocidin” duke etiketuar rezistencën palestineze si “terrorizëm”.
“Që nga 7 tetori 2023, vëllezërit dhe motrat tona në Gaza dhe Palestinë i janë nënshtruar një prej akteve më të mëdha të banditizmit të shekullit të kaluar”, shtoi Erdoğan.
“Rendi global që nuk qëndron me të shtypurit, është i destinuar të bëhet vegël e shtypësve”, tha po ashtu presidenti turk, duke theksuar se e drejta ndërkombëtare është bërë mjet jo për vendosjen e drejtësisë, por për forcimin e pushtetit të të fuqishmëve.
Ai kritikoi edhe vendet islame në lidhje me qëndrimin ndaj gjenocidit në Gaza.
“Këtë e them me keqardhje, me zemër të plagosur për fat të keq, bota islame gjithashtu ka dështuar të përmbushë atë që pritej prej saj për Gazën”, deklaroi presidenti i Türkiyes, Recep Tayyip Erdoğan.