Connect with us

Lajme

Bekim Qoku: Lista të përbashkëta në VLEN, jo eksperimente që i shërbejnë BDI-së

Published

on

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje në Maqedoninë e Veriut, Bekim Qoku, ka reaguar pas zhvillimeve të fundit brenda koalicionit VLEN, duke kritikuar idenë e daljes me lista të ndara në zgjedhjet lokale, si dhe propozimet për matjen e kandidatëve përmes anketave. Ai i ka cilësuar këto si ide që minojnë frymën e bashkimit dhe përçajnë elektoratin.

Sipas tij, insistimi i Aleancës për Shqiptarët për të dalë me lista të veçuara është “i papranueshëm” dhe “jopolitik”, duke shtuar se një qasje e tillë nuk mat forcën reale të pushtetit kundrejt kundërshtarit të vetëm, BDI-së, por rrezikon përçarjen e brendshme.

“Insistimi për lista të ndara është të kërkosh sebep për t’u ndarë, jo për t’u bashkuar. VLEN-i duhet të matet me BDI-në, jo brenda vetes,” – theksoi Qoku.

Në një analizë të hollësishme, Qoku rreshton mbi 15 arsye pse listat e përbashkëta janë zgjidhja e vetme politike dhe racionale për VLEN-in. Ai përmend sistemin zgjedhor që favorizon subjektet më të mëdha, riskun e sabotimit të fushatës së përbashkët dhe krijimin e tensioneve brenda strukturave partiake nëse çdo subjekt del më vete.

“Listat e ndara janë krisje në VLEN që çojnë drejt ndarjes. Këto koalicione i mban bashkë fryma dhe kauza, jo kalkulimet meskine,” – deklaron ai.

Deputeti i VV-së kritikon edhe idenë për matjen e kandidatëve me anketime, duke e konsideruar atë si një tjetër mjet për të minuar frymën kolektive të koalicionit.

“VLEN-i u ndërtua mbi parimin e të barabartëve mes të barabartëve, pa marrë parasysh numrat apo anketimet. Vetëm kështu mund të ruajmë unitetin dhe të arrijmë fitore,” – shtoi Qoku.
Ai solli në vëmendje shembullin e koalicioneve në Kosovë, ku edhe parti me peshë të vogël në anketime janë pjesë e listës së përbashkët të VV-së, pikërisht për të ruajtur frymën e bashkimit.

Në përmbyllje, Qoku paralajmëron se çdo përpjekje për të dalë me lista të ndara do të krijojë përshtypjen e një ndarjeje reale të VLEN-it dhe do t’i shërbejë drejtpërdrejt kundërshtarit të përbashkët, BDI-së.

NA NDIQ NË FACEBOOK