Lajme
ASH me lista të veçanta në zgjedhjet lokale, Ramadani: Mbetemi partner i përkushtuar brenda koalicionit VLEN
Sekretari i përgjithshëm i Aleancës për Shqiptarët, Blerant Ramadani, ka bërë të ditur se partia e tij do të garojë me lista të veçanta për këshilltarët komunalë në zgjedhjet lokale të ardhshme. Sipas Ramadanit, ky vendim është miratuar nga Kryesia e ASH-së në bashkëpunim me kryetarët e degëve të partisë dhe vjen si reflektim i përkushtimit për përfaqësim të drejtë dhe gjithëpërfshirës në nivel lokal, raporton ZYRTARE.net
“Besojmë se fuqizimi i zërit tonë në nivel lokal është thelbësor për realizimin e një qeverisjeje më efikase dhe të ndjeshme ndaj nevojave të qytetarëve”, ka theksuar Ramadani.
Sa i përket kandidaturave për kryetarë komunash, ai nënvizoi se ASH ka propozuar një proces të hapur dhe transparent përmes anketave dhe sondazheve profesionale, si mënyra më demokratike për përzgjedhjen e kandidatëve. Megjithatë, kjo iniciativë nuk ka gjetur mbështetje nga partnerët e koalicionit VLEN.
“Për fat të keq, propozimi ynë nuk u pranua, por kjo nuk duhet të jetë një mundësi e humbur për thellimin e demokracisë së brendshme dhe përforcimin e legjitimitetit publik,” shtoi Ramadani.
Ai ritheksoi se Aleanca për Shqiptarët mbetet e përkushtuar në kuadër të koalicionit VLEN dhe mbështet dialogun e hapur, respektin reciprok dhe bashkëpunimin mbi baza parimore. Por, sipas tij, ASH nuk do të pranojë kushtezime që bien ndesh me vlerat dhe vullnetin e anëtarësisë së saj.
“Hapat tanë të mëtutjeshëm do të varen nga qëndrimet e partnerëve në VLEN. Ne jemi të gatshëm për bashkëpunim në çdo formë që respekton barazinë dhe interesin qytetar,” përmbylli Ramadani, duke riafirmuar përkushtimin e partisë ndaj një politike të bazuar në përmbajtje dhe interes publik.