Kosovë
Mbi 700 mijë euro tender njëburimor për asfalt e ndriçim, Komuna e Zveçanit hesht për kontratën e madhe
Kuvendi Komunal i Zveçanit, i udhëhequr nga Ilir Peci i Partisë Demokratike e Kosovës, ka shpërblyer një tender të madh kompaninë “Nil Holding”. Vlera e tenderit arrin në mbi 700 mijë euro.
Bëhet fjalë për kontratën me titull “Riparimi, Asfaltimi dhe Ndriçimi Publik në Komunën e Zveçanit në mënyrë të negociuar”, me vlerë prej 754,488 mijë eurosh.
Në njoftimin për kontratën bëhet me dije se tenderi është lidhur më 18 shkurt 2025.
Gazeta Insajderi ka provuar të marrë një përgjigje nga kryetari i Zveçanit, Ilir Peci, por ai ka qenë i paqasshëm. Pyetjet i janë dërguar edhe përmes emailit të zyrtares komunale, por sërish nuk kemi marrë përgjigje.
Kërkesa ka qenë për të mësuar arsyet pse kjo kontratë është lidhur në mënyrë të negociuar, si dhe nëse Peci ka ndonjë lidhje me pronarin e kompanisë.
Nga ana tjetër, është kërkuar përgjigje edhe nga kompania, por as ata nuk kanë kthyer përgjigje deri në momentin e publikimit të shkrimit.
Kompania “Nil Holding” në regjistrat e Agjencisë së Regjistrimit të Bizneseve të Kosovës figuron të jetë nën pronësi të Visar Fekajt.
Si aktivitet parësor kjo kompani ka “ndërtim të objekteve banesore dhe jo banesore”, ndërkohë aktivitete tjera “ndërtim i rrugëve dhe autostrade”, etj.
Kontratave të tipit të negociuar u është bërë vazhdimisht kritika nga Partia Demokratike e Kosovës, një praktikë kjo që është zbatuar gjerësisht nga Qeveria Kurti.
Sipas PDK-së, këto lloj tenderësh paraqesin një burim të mundshëm korrupsioni dhe përbëjnë një kërcënim për buxhetin e shtetit.
/Insajderi