Kosovë
Avdyli konfirmon marrëveshjen me Nismën: I kemi 61 vota
Haxhi Avdyli, deputet i Lëvizjes Vetëvendosje, ka konfirmuar se partia e tij ka marrëveshje me Nismën Socialdemokrate, edhe pse jo në formë të shkruar, për bashkëqeverisje. Ai ka thënë madje se bisedimet janë shumë pozitive dhe se tashmë VV-ja i ka 61 vota në Kuvend, e se po synon për më shumë.
“Kemi bisedime dhe bisedimet janë shumë pozitive. S’kemi të shkruar, por mbi këtë shumë shpejt… Për këtë do të dalim para opinionit. S’jam i autorizuar që të flas për këtë”, ka thënë ai në “Konfront” të KTV-së. Gjatë diskutimit me Teutë Rrustën e PSD-së, Avdyli ka thënë se “një marrëveshje ekziston dhe kjo është në të mirë të demokracisë kur ka marrëveshje”.
“Sepse kur një parti e ka shumicën dhe nuk mund të bëjë marrëveshje atëherë do të ishte shqetësuese sepse nëse bën… edhe ftesën për LDK-në e kam përshëndetë dhe më ka ardhur shumë keq që ish-partia ime ka bë kaq hapa mbrapa nga një parti shtetformuese e hapur për partitë e PAN-it në të kaluarën janë kaq të ngurtë. E kuptoj se po kalkulojnë, por Kosova nuk ua fal këtë bllokadë që po ua shkakton. Kam pa parti bllokuese, por LDK-na bllokuese hyn në analet historike”, ka thënë tutje ai.
“Albini, argat i Serbisë, është fyerja më e madhe që mund t’i bëhet një politikani të Kosovës. Mendoj se asnjë nga opozita s’janë argatë të Serbisë e as Rusisë. Kam pritur se do të ulet e të thonë se nuk pajtohemi këtu-këtu… S’është parti e Vuçiqit, por kryeministri i Kosovës”, ka shtuar ai.
I pyetur për numrat, sipas Avdylit, është pikërisht kjo çështje pse “opozita po e bllokon konstituimin”.
“Ata e dinë që ne i kemi numrat. Ne i kemi 61, por nuk i kemi 63 a 65. Por synojmë t’i rrisim. I kemi të sigurt 61”, ka thënë ai.