Sport
Djegie e kafshime qensh, mjeku i Man Utd zbulon dëmtimet e çuditshme të lojtarëve

Doktori i klubit, Stiv MekNelli, zbuloi se United është duke monitoruar gjendjen psikologjike të lojtarëve që janë detyruar të qëndrojnë në shtëpi gjatë muajit të fundit dhe janë gati të ndërmarrin masa të mëtejshme nëse skuadra nuk rikthehet në stërvitje së shpejti.
Dietologët e skuadrës janë marrë edhe me këshillimin e disa prej lojtarëve sesi duhet të gatuajnë vetë në shtëpi dhe MekNelli tregon se kjo ka sjellë disa aksidente të vogla të tyre, ndërkohë që një tjetër lojtar ka kërkuar këshilla mjekësore sepse e kishte kafshuar qeni i tij.
“Nutricionistëtu kanë dhënë lojtarëve leksione gatimi në ‘Instagram’. Shumë prej tyre kanë nisur të zhvillojnë një talent të ri dhe një apo dy prej tyre edhe kanë pësuar incidente gjatë këtij procesi”, tha MekNelli. “Fatmirësisht shumica e djemve kanë qenë mirë. Ne nuk kemi pasur dëmtime përveç disa ankesave të pazakonta, sepse ata kanë provuar të gatuajnë apo i ka kafshuar qeni. Por këto janë probleme të një karakteri tjetër”. Në lidhje me hapat që klubi ka marrë për të mbrojtur shëndetin mendor të futbollistëve, doktori tha:
“Nëse gjërat sh kojnë siç ne shpresojmë dhe rikthehemi në stërvitje në grup muajin e ardhshëm, atëherë kjo do të kishte një efekt pozitiv. Por sa më gjatë shtyhet rikthimi, duhet të tregohemi pak më shumë të kujdesshëm në lidhje me pjesën psikologjike. Ne kemi menduar për këtë, sepse e dinim që do të qëndronim në izolim dhe përgatitëm një paketë me këshilla. Stërvitja e përditshme është shumë e rëndësishme dhe neve na mungon. Por ata po e bëjnë atë virtualisht, edhe pse nuk është e njëjta gjë. Do të ketë disa djem që do ta vuajnë më shumë karantinën dhe shpërqendrimet janë të natyrshme me kohën e shumtë të lirë në dispozicion”.
Stafi teknik i “Djajve të kuq” ka nisur të mendojë për planin e distancimit social nëse do të rinisë stërvitja me grupe të vogla lojtarësh në qendrën stërvitore “Carrington”. Aktualisht skuadra po stërvitet me programe individuale në shtëpi dhe lojtarëve u lejohet edhe që të porosisin ushqim nga jashtë, pavarësisht se klubi i monitoron me kujdes, duke u matur peshën çdo të premte në mëngjes. /Panorama





















