Kosovë
Kryetari i qytetit me më së shumti të prekur nga koronavirusi, thotë se e ka paralajmëruar IKSHP-në për përhapje

22 persona të prekur nga virusi COVID-19, janë regjistruar në komunën e Malishevës.
Në mesin e 61 të infektuarve me koronavirus në Kosovë, 22 janë nga komuna e Malishevës.
Kryetari i kësaj komune, Ragip Begaj, ka thënë për lajmi.net, se qysh në fillim kishte kërkuar nga Instituti Kombëtarë i Shëndetësisë Publike (IKSHPK), që të kontrolloheshin dhe testoheshin familjarët e të infektuarve me koronavirus.
Sipas Begajt, kërkesa e tij është bërë pasi që në këtë mënyrë do të pamundësohej përhapja e COVID-19, por ai theksoi se familjarëve nuk iu është bërë asnjë test.
“Unë kam kërkuar nga Instituti që fillimisht me i trajtua dhe testua familjarët dhe jo ata që thonë se kam ndonjë simptomë. Rastet në familje së pari është dashur që të identifikohen e testohen për me shkua më pas diku tjetër në zbulimin e infektimeve. Kam kërkuar që në radhë të parë t’i trajtojnë familjet që kanë njerëz të prekur me koronavirus. Që për mos me u përhap më tepër ky virus, është dashur qysh në fillim të trajtohen familjarët e të prekurve e jo personat që janë lajmëruar për shqetësime. Jo të gjithë familjarët kanë bërë teste për koronavirus. Janë diku rreth 40 persona që është dashur të trajtohen dhe anëtarët e familjeve të të prekurve është dashur qysh në fillim të trajtohen në mënyrë që të mos përhapet ky virus”, është shprehur Begaj për lajmi.net.
Ai ka thënë se fatmirësisht gjendja e shtatë personave të prekur me koronavirus është stabile dhe se vetëm një prej tyre është në vetizolim në shtëpi.
Mirëpo, sikurse edhe çdo komunë tjetër, edhe Malisheva është duke u përballur me mungesë të mjeteve mbrojtëse shëndetësore, madje sipas tij, Qendra e Mjekësisë Familjare në këtë komunë është shumë pak e furnizuar me material mbrojtës.
“Shumë keq i kemi punët me materialet mbrojtëse. Madje mbrëmë i kam thënë kryeministrit që as për dy ditë nuk kemi maska, materiale mbrojtëse, dezinfektues të cilët edhe në Qendrën e Mjekësisë Familjare mungojnë. I vetmi furnizim që është bërë deri më tani janë 100 maska, 100 rroba dhe disa dezinfektatë dhe 5 litra alkool”, deklaroi Begaj për lajmi.net.
Tutje ai po ashtu ka treguar se është duke u bërë dezinfektimi i të gjitha hapësirave publike dhe QMF-së, përfshirë edhe rrugët e parqet e komunës.






















