Kosovë
Shefi i Stafit të Kurtit thotë se taksa do të hiqet komplet, vetëm pas ndaljes së fushatës së Serbisë për çnjohje

Shefi i Stafit të kryeministrit Albin Kurti, Luan Dalipi, përmes një serie cicërimash në Twitter, ka thënë se taksa ndaj mallrave serbe do të hiqet, por gjithnjë me kushtin që Serbia të ndalojë me fushatën e saj për çnjohje të Kosovës.
“Aleanca jonë strategjike me SHBA-në dhe botën demokratike është e rëndësisë kritike dhe Qeveria e Kosovës do të bëjë të pamundurën për t’i ruajtur dhe avancuar raportet tona. I jemi shumë mirënjohës partnerëve tanë ndërkombëtarë për mbështetjen e tyre të vazhdueshme, përfshirë ambasadorin Richard Grenell për përkushtimin e tij dhe për rolin aktiv në realizimin e njohjes reciproke Kosovë-Serbi që do të sjellë paqe afatgjatë dhe prosperitet në të dyja vendet. Tarifën do ta heqim plotësisht posa Serbia të ndalojë fushatën e saj të çnjohjeve, si dhe t’i heq barrierat e saja jotarifore. Kjo do të krijojë një bazë të fortë për një dialog të prosperuar dhe marrëdhënie reciproke me Serbinë”, tha Dalipi, raporton KOHA.
Qeveria e Kosovës, sipas tij, paraqet legjitimitetin e qytetarëve dhe politikës së saj. Abrashi ka sqaruar edhe sistemi kushtetues të Kosovës dhe praktikën ligjore të Gjykatës Kushtetuese që thotë se konfirmon rolin e secilit aktor në politikën e jashtme, ndërsa ka shtuar se në sistemin parlamentar të Kosovës, Presidenti i shërben politikës së jashtme të caktuar nga Qeveria.
Më tej, Dalipi ka thënë se veprimet jokushtetuese në procesion negociator me Serbinë do t’i bëjnë dëm dhe do të minojnë punën e madhe dhe përpjekjet e partnerëve ndërkombëtarë, në veçanti të SHBA-së, BE-së dhe Britanisë së Madhe.
“Askush s’duhet t’i çorientojë miqtë tanë në komunitetin ndërkombëtar. Veprimet e pakoordinuara dhe pa autorizim kushtetues jo vetëm që prodhojnë pasoja negative, por edhe marrëveshje fiktive dhe të pazbatueshme që rezultojnë në dëmtimin e pozitës ndërkombëtare dhe të interesave të Kosovës”, ka thënë Dalipi.





















