Connect with us

Kosovë

Nushi për veprimin skandaloz të Gashit: Prita që Tomë Gashi të kërkojë falje për gjestin jonjerëzor, brutal dhe të gabuar

Publikuar

Periskopi ka publikuar para disa ditëve një video ku shihet avokati Tomë Gashi duke vepruar në mënyrë brutale ndaj një lypsi në sheshin “Nëna Terezë” në Prishtinë.

E për këtë, Nol Nushi nga Partia Socialdemokrate ka thënë se ka pritur që avokati Tomë Gashi të kërkojë falje për veprimin e tij ndaj lypsarit në sheshin “Nëna Terezë” në Prishtinë.

Nushi që në studion e Info Magazine të Klan Kosovës ka qenë bashkë me avokatin Tomë Gashi ka deklaruar se kjo është më e pakta që ai mund të bëjë.

“Kur më ftuat për emision dhe e kuptova që edhe avokati Tomë Gashi ka pranuar të vijë në emision në një formë u gëzova, sepse thashë paska reflektuar dhe paska vendosur që në fund të vijë në emision të drejtpërdrejtë dhe të kërkojë falje për atë gjest jonjerëzor, brutal dhe totalisht të gabuar”.

“Kur e dëgjova rezymenë e Tomë Gashit jam pak pishman që erdha në emision. Është e pamundur qysh Tomë Gashi foli pesë minuta dhe në asnjë sekondë nuk e pati forcën dhe guximin që të bëjë tërheqje dhe kërkim-falje. Është minimumi i minimumit çka duhet të ndodhë përballë një rasti të tillë totalisht brutal”.

“Në një moment avokati është dashur të dalë prej rolit të tij profesional. Rolin e avokatit e kuptojmë se si është, prandaj edhe është termi ‘Avokat i Djallit’. Mbrojtja që sot Tomë Gashi i bëri vetes është e stilit të ‘Avokatit të Djallit’”.

“Avokati pati fytyrë që të thotë që shumica e qytetarëve janë pajtuar me këtë rast.

Nushi e ka ndërlidhur këtë veprim të Gashit me ardhjen në pushtet të Lëvizjes Vetëvendosjes, sepse ai është shprehur i bindur se Tomë Gashi ndihet i paprekshëm.

“Mua më intereson figura e dikujt që është i veshur me pushtet dhe kapital financiar simbolik dhe sillet kështu ndaj një qytetari totalisht të pambrojtur dhe të mjerë. Unë Tomën s’e kam parë më herët duke goditur njerëz të varfër në rrugë”.

“Prej nga i vjen kjo fuqi avokatit Tomë unë s’e kuptoj ndryshe përveç veshjes së tij me pushtet tashmë. Toma po fillon të ndihet i padenoncueshëm dhe i paprekshëm. Kur ndihesh i paprekshëm ke fytyrë të dalësh dhe ta godasësh një të varfër dhe të mjerë aty, të dalësh në kamerë televizive dhe të mos kërkosh falje.

Madje, ai e ka bërë një ndërlidhje edhe me vendin ku ka ndodhur rasti.

“Sulmin që Toma e ka bërë atë ditë ka ndodhur as 20 metra larg prej përmendores së Shën Nënë Terezës që është shenjtore. Për çka njihet ajo? Njihet pikërisht për punën që e ka bërë me njerëzit e shtypur, sidomos ekonomikisht. Toma tash i veshur me pushtet e di kush është kriminel, biznismen, kush e ka të organizuar dhe të tjera”.

“Toma është treguar edhe i paguximshëm, sepse po ta çonte punën deri në fund dhe do ta rrihte shefin e tij. Kur nuk ka çfarë t’i bëjë gomari, i ka mëshuar samarit”.