Shëndetësi
Garë në gjetjen e vaksinës për koronavirusin

Një virus i ri vdekjeprurës. Mijëra njerëz të infektuar. Pa kurë. Asnjë vaksinë.
Bota ka qenë në këtë situatë edhe shumë herë më parë.
Vetëm në pesë vjetët e kaluara, bota është përballur me shpërthime të Ebola, Zika, një tjetër koronavirus i quajtur Mers (Sindromi i frymëmarrjes në Lindjen e Mesme), dhe tani virusi thjesht i njohur si “2019-nCoV”.
Ky virus tashmë ka infektuar mijëra njerëz dhe ka vrarë më shumë se 100.
Por, ndryshe nga shumë shpërthime të mëparshme, ku vaksinat për të mbrojtur njerëzit kanë marrë vite për t’u zhvilluar, hulumtimi për një vaksinë për të ndihmuar në frenimin e këtij shpërthimi filloi brenda disa orësh nga identifikimi i virusit.
Zyrtarët kinezë publikuan kodin e tij gjenetik shumë shpejt.
Këto informacione ndihmojnë shkencëtarët të përcaktojnë se nga ka ardhur virusi, si mund të pësojë mutacione përderisa zhvillohet shpërthimi dhe si të mbrohen njerëzit kundër tij.
Me përparime teknologjike dhe angazhim më të madh nga qeveritë në mbarë botën për të financuar kërkime mbi sëmundjet në zhvillim, hulumtuesit ishin në gjendje të fillojnë shpejt veprimin.
Në laboratorin e Inovio në San Diego, shkencëtarët po përdorin një lloj relativisht të ri të teknologjisë së ADN-së për të zhvilluar një vaksinë të mundshme. “INO-4800” – siç quhet aktualisht – planifikohet që të testohet tek njerëzit në fillim të verës.
“Pasi Kina të kishte siguruar sekuencën e ADN-së të këtij virusi, ne ishim në gjendje ta vendosnim atë përmes teknologjisë kompjuterike të laboratorit tonë dhe të hartonim një vaksinë brenda tre orëve”.
“Vaksinat e ilaçeve tona të ADN-së janë të reja dhe ato përdorin sekuencat e ADN-së nga virusi për duke targetuar pjesë specifike të patogjenit për të cilat besojmë se trupi do të ketë përgjigjen më të fortë” tha Kate Broderick, nënkryetare e lartë e kërkimit dhe zhvillimit në Inovio.
Ajo tregoi se më pas ata përdorin qelizat e vetë pacientit duke i bërë fabrikë për vaksinën, duke forcuar mekanizmat e reagimit natyror të trupit.






















