Connect with us

Religjion

A do të qëndronim në të vërtetën po të mbeteshim të vetëm?

Publikuar

më

Falënderimi i takon Allahut, xh.sh., Zotit të të gjithë botëve. Salavatet dhe selamet tona ia dërgojmë të Dërguarit dhe të dashurit të fundit të Allahut, Muhamedit (savs), familjes së tij, shokëve të tij dhe të gjithë robërve të mirë të Allahut.

Vëllezër të dashur!

Fillimisht, ia kujtoj vetes dhe juve besimin e palëkundur në Allahun, melekët e Tij, librat e Tij, të dërguarit e Tij, Ditën e Gjykimit dhe në përcaktimin e Allahut.

Jeta është vërtet e vështirë dhe, nganjëherë, edhe e padrejtë. Çdo ditë na vë përpara sfidave të ndryshme dhe na detyron të marrim vendime, të zgjedhim ndërmjet asaj që është e drejtë dhe asaj që është më e lehtë për ne, ndërmjet parimeve dhe interesave, ndërmjet së vërtetës dhe asaj që pranon shumica.

E kur në jetën tonë gjendemi në një situatë ku mbetemi të vetëm përballë shumicës, kur prej nesh kërkohet të shesim parimet, dinjitetin dhe nderin, vetëm që të përshtatemi me të tjerët; kur e keqja bëhet e pranuar nga të gjithë, ndërsa e mira e huaj dhe objekt talljeje, atëherë Kurani na drejton tek Ibrahimi (a.s.).

Populli i Ibrahimit i adhuronte idhujt. Kjo ishte traditë e etërve dhe gjyshërve të tyre. Të gjithë vepronin kështu, madje edhe babai i tij, por ai jo. Ibrahimi (a.s.) nuk e pranoi diçka vetëm pse e bënin një numër i madh njerëzish, apo pse e bënte babai i tij. Përkundrazi, një natë u veçua dhe, duke vështruar trupat qiellorë, filloi të meditonte.

“Dhe kështu, Ne ia treguam Ibrahimit mbretërinë e qiejve dhe të Tokës, që ai të bëhej nga ata që besojnë vendosmërisht. – Kur ra nata, ai pa një yll dhe tha: “Ky është Zoti im!” Por, kur perëndoi ylli, ai tha: “Nuk i dua ata që perëndojnë.” – Kur e pa Hënën duke lindur, tha: “Ky është Zoti im!” Por, pasi ajo perëndoi, ai tha: “Nëse Zoti im nuk më udhëzon në rrugën e mbarë, me siguri do të bëhem njëri nga të humburit.” – Kur vërejti Diellin duke lindur, ai thërriti: “Ky është Zoti im, ky është më i madhi!” Por, pasi Dielli perëndoi, ai tha: “O populli im, unë jam larg nga idhujt që ju ia shoqëroni Allahut në ibadet! – Unë e kthej fytyrën time nga Ai që i ka krijuar qiejt dhe Tokën, duke qenë besimtar i vërtetë, dhe nuk jam nga idhujtarët!” (El-En’am, 75–79).

Kur Ibrahimi (a.s.) e njohu të vërtetën, filloi ta thërriste popullin e tij drejt së vërtetës, drejt besimit në Një Zot të Vetëm. Ai i ftonte të mendonin dhe ta pyesnin veten nëse kishte kuptim të adhurohej ajo që nuk mund as të fliste, as të ndihmonte. Mirëpo, ata nuk deshën ta dëgjonin. Në të vërtetë, askush nuk e ndoqi, ndonëse ai ishte i dërguar i Allahut. Kështu, në një transmetim përcillet se ai i kishte thënë bashkëshortes së tij, Sarës, derisa po kalonin nëpër vendin e një sundimtari tiran: “Në gjithë Tokën nuk ka asnjë besimtar tjetër, përveç meje dhe teje!”

Vëllezër të dashur!

A mund ta përfytyrojmë këtë skenë? Në tërë Tokën vetëm dy veta besojnë në Allahun, ndërsa përreth tyre gjenden popuj, perandori dhe njerëz që jo vetëm nuk e ndajnë besimin e tyre, por, ç’është edhe më keq, janë armiqësisht të prirë ndaj tyre.

A mund ta përfytyrojmë veten në një situatë të tillë, në vendin e Ibrahimit (a.s.)? Si do të vepronim ne? A do të thoshim, siç themi shpesh: “Kështu veprohet tek ne.” “Kështu kanë vepruar gjyshi dhe babai im.” “Të gjithë e bëjnë këtë, çfarë mund të bëj unë?” – dhe do të ndiqnim shumicën, apo do të vepronim si Ibrahimi (a.s.), duke qëndruar në të vërtetën, sepse e vërteta mbetet e vërtetë dhe e ruan fuqinë e saj, pavarësisht se sa njerëz e ndjekin?

Me të drejtë është thënë në vargje:

“Nëse mbetesh i vetëm në rrugën e njerëzve të ndershëm,
mos u pikëllo pse janë të paktë ata që ecin në të;
sepse margaritarët gjithmonë janë të rrallë në fund të detit,
ndërsa shkuma pa vlerë i mbulon të gjitha ujërat.”

Ngjashëm me këtë, përcillet edhe një thënie që i atribuohet Fudajl bin Ijadit: “Qëndro në rrugën e së vërtetës dhe mos u frikëso pse janë të paktë ata që ecin në të; ruhu nga rruga e së pavërtetës dhe mos u mashtro nga shumica e atyre që vrapojnë drejt shkatërrimit.”

Vëllezër të dashur!

Ta mbajmë mend: Jo çdo traditë është e mirë vetëm pse është e vjetër (pse e kanë praktikuar të parët tanë). Po ashtu, as çdo veprim nuk është i drejtë vetëm pse e bën shumica. E mirë dhe e drejtë është vetëm ajo me të cilën është i kënaqur Allahu, Zoti ynë, dhe ajo që do të na shpëtojë nga dënimi në botën tjetër.

Ibrahimi (a.s.) i dinte mirë këto gjëra. Prandaj, ai jo vetëm që qëndroi i vetëm në të vërtetën, por edhe luftoi me vendosmëri dhe me tërë qenien e tij kundër së pavërtetës.

Me kalimin e kohës, konflikti ndërmjet tij dhe popullit të vet bëhej gjithnjë e më i madh dhe, në fund, arriti kulmin kur Ibrahimi (a.s.) ua bëri copë-copë idhujt, ndërsa ata e kapën dhe e hodhën në zjarr, me qëllim që ta digjnin.

Le të ndalemi e të shohim: Ai i fton drejt së vërtetës, drejt besimit në Një Zot të Vetëm, ndërsa ata e hedhin në zjarr. E tmerrshme! Dhe, edhe në të gjithë, me siguri, mendojmë se kjo është e tmerrshme dhe pyesim në vetvete: “Si mund ta bëjnë një gjë të tillë?!”

Tani, le ta përfytyrojmë një Ibrahim mes nesh.

Vjen ky Ibrahimi në oborrin tonë dhe fillon të na e rrëzojë rrethojën që e kemi vendosur. Vjen dhe na denoncon tek inspektorati, sepse nuk e respektojmë ligjin në punën tonë. Vjen dhe na paraqet para ndonjë komisioni, sepse kemi gënjyer duke thënë se jemi të sëmurë, vetëm për të përfituar pension, pension invalidor apo ndonjë përfitim tjetër. Vjen dhe bën çmos që ne të mos e fitojmë një vend pune që nuk e meritojmë. Vjen dhe çdo mëngjes na zgjon për namazin e sabahut në xhami, edhe pse ne i themi: “Mos hajde! Çfarë të duhet ty! Secili le të kujdeset për veten!” Vjen dhe të gjithëve na e thotë të vërtetën troç, pa na kursyer.

Çfarë do t’i bënim ne, vëllezër, një Ibrahimi të tillë? Duke parë se çfarë njerëzish jemi, mendoj se për të edhe zjarri do të ishte pak. Allahu e di më së miri.

E çfarë kishte bërë ai? Kishte bërë vetëm atë që do të na shpëtonte nga dënimi në botën tjetër.

Por, pavarësisht se nuk e kishte përkrahjen e popullit, Ibrahimi (a.s.) e dinte se e kishte përkrahjen e Allahut dhe se ata nuk do të mund t’i bënin asgjë, nëse Allahu ishte në anën e tij. Dhe kështu ndodhi. Allahu xh.sh. e urdhëroi zjarrin: “O zjarr, bëhu i ftohtë dhe shpëtim për Ibrahimin!” (El-Enbija, 69).

Prandaj, vëllezër!

Le të mos e masim drejtësinë e rrugës sonë me numrin e njerëzve që na përkrahin, por me kënaqësinë e Allahut xh.sh. Le të përpiqemi të jemi në rrugën e së vërtetës dhe të së mirës, edhe nëse kjo është në kundërshtim me interesat tona apo të njerëzve tanë më të afërt.

Natyrisht, e gjithë kjo nuk do të thotë se duhet të kërkojmë grindje dhe konflikte me njerëzit. Ibrahimi (a.s.) i ftonte njerëzit në mënyrë të bukur, bisedonte me ta dhe ua shpjegonte të vërtetën. Por, kur duhej të qëndronte besnik ndaj së vërtetës, parimit dhe së mirës, ai nuk tërhiqej.

Allahu xh.sh. thotë:

وَإِن تُطِعْ أَكْثَرَ مَن فِي الْأَرْضِ يُضِلُّوكَ عَن سَبِيلِ اللَّهِ ۚ إِن يَتَّبِعُونَ إِلَّا الظَّنَّ وَإِنْ هُمْ إِلَّا يَخْرُصُونَ

“Nëse i bindesh shumicës së njerëzve që gjenden në Tokë, ata do të të shmangin nga rruga e Allahut. Ata ndjekin vetëm hamendjet. Ata vetëm gënjejnë.” (El-En’am, 116).

O Allahu ynë! Të lutemi të na dhurosh qëndrueshmëri në fe, të na mbrosh nga ndjekja e humbjes vetëm pse ajo është përhapur në mesin e njerëzve. Amin!

Burimi: https://dzematdonjevukovije.org//

Përshtati në shqip: Miftar Ajdini

(Islampress)

NA NDIQ NË FACEBOOK