Shqipëri
NATO dhe Zelensky paralajmërojnë: Putin është i paparashikueshëm! I gatshëm të marrë rreziqe dhe të provokojë Aleancën

Rriten shqetësimet në NATO për veprimet e Rusisë dhe mundësinë e provokimeve ndaj vendeve të Aleancës. Zëvendëskomandanti suprem i NATO-s në Europë, gjenerali britanik Sir John Stryger, e ka cilësuar Vladimir Putinin si “gjithnjë e më të paparashikueshëm” dhe të gatshëm të marrë rreziqe.
Duke folur për Associated Press në një konferencë sigurie në Estoni, Stryger tha se vendet e NATO-s duhet të tregohen veçanërisht të kujdesshme në një “mjedis të ndezshëm”. Sipas tij, Rusia mund të përpiqet ta provokojë Aleancën në mënyrë që të shkaktojë një reagim të tepruar dhe të krijojë përçarje mes vendeve anëtare.
Shqetësimet lidhen me skenarë që përfshijnë sabotime, spiunazh, sulme me dronë apo raketa.
Disa liderë europianë kanë ngritur shqetësimin se Moska mund të testojë reagimin e NATO-s. Kryeministri polak Donald Tusk ka paralajmëruar për mundësinë e sulmeve me dronë ose raketa që Rusia mund t’i paraqesë më pas si incidente aksidentale.
Edhe presidenti francez Emmanuel Macron ka kërkuar përgatitjen e masave për mbrojtjen e infrastrukturës kritike nga sulmet e mundshme me dronë dhe në hapësirën kibernetike. Megjithatë, zyrtarë të tjerë europianë theksojnë se nuk ka prova se Rusia po përgatit aktualisht një konflikt të drejtpërdrejtë ushtarak me NATO-n.
Presidenti i Letonisë, Edgars Rinkēvičs, tha se nuk po vërehet grumbullim i forcave ruse pranë vendeve baltike. Edhe ambasadori amerikan në NATO, Matthew Whitaker, ka deklaruar se Putin nuk dëshiron një konflikt me Aleancën.
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka dhënë një tjetër paralajmërim. Pas takimit me Donald Trump në Nju Jork, Zelensky tha se Rusia mund të tentojë të godasë një tjetër vend europian me dronë, raketa apo edhe përmes një operacioni tokësor.
Sipas tij, një nga objektivat e Moskës do të ishte përçarja e vendeve europiane dhe dobësimi i mbështetjes perëndimore për Ukrainën. “Si ta ndajmë Europën? Si ta zvogëlojmë mbështetjen për Ukrainën? Nëse mbështetja zvogëlohet, mund të shkojë më tej”, tha Zelensky.
Ai përmendi incidente me dronë dhe shkelje të kufijve në vende si Moldavia, Rumania dhe Polonia, si dhe probleme të raportuara në aeroporte në Gjermani dhe në vendet e Europës Veriore.
Zelensky u bëri thirrje vendeve europiane që t’u përgjigjen shkeljeve të tilla. “Gjithmonë përgjigjuni. Nuk ka të bëjë me fillimin e një lufte. Nëse nuk u përgjigjeni rusëve, ata do të shkojnë më tej”, deklaroi presidenti ukrainas.
Ndërkohë, NATO dhe qeveritë europiane përballen me sfidën e ruajtjes së gatishmërisë dhe parandalimit të përshkallëzimit, në një kohë kur lufta në Ukrainë vazhdon.



















