Shqipëri
Kreu i delegacionit të PE: Shqipëria po bën hapa spektakolarë në negociatat me Bashkimin Evropian

Kreu i delegacionit të Parlamentit Europian dhe bashkëkryetar i punimeve të Komitetit Parlamentar të Stabilizim-Asociimit (KPSA) BE–Shqipëri, Marco Tarquinio, vlerësoi ecurinë e Shqipërisë në procesin e integrimit europian, duke e cilësuar “spektakolare” sa i takon hapjes dhe mbylljes së kapitujve të negociatave.
Gjatë fjalës së tij në takimin dyditor që po mbahet në Tiranë, Tarquinio theksoi se përveç miratimit të reformave, është jetike që ato të zbatohen në praktikë nga institucionet dhe përfaqësuesit shqiptarë.
Tarquinio u ndal edhe te debatet mes mazhorancës dhe opozitës, por nënvizoi se e rëndësishme është të punohet për një klimë politike më të qetë, në mënyrë që procesi i integrimit të ecë përpara pa pengesa.
“Ne vazhdojmë të bashkëpunojmë me Kuvendin e Shqipërisë në rrugëtimin drejt integrimit në BE. Asistenca teknike është njëra anë, por është edhe ana politike. Shqipëria është një vend me veçantitë e veta të cilat duhen mbrojtur dhe ushqyer më shumë. Jeni një demokraci e re, e fortë, e gjallë që u bën thirrje atyre që kanë detyrën të përfaqësojnë. Nga Brukseli dhe Strasburgu po ndjekim gjithçka që po zhvillohet këtu. Ajo që po ndodh në Shqipëri është spektakolare sa i takon negocimit të kapitujve, kapituj që hapen, kapituj që mbyllen, është mbresëlënëse, por gjatë punimeve të këtij komisioni sot jam i bindur se lipset që jo vetëm të miratojmë reforma, por edhe të sigurohemi që të vihen në zbatim në terren dhe kjo i takon zyrtarëve dhe përfaqësuesve tuaj që t’i ndjekin. E di që mes opozitës dhe pozitës ka debate, por e rëndësishme është të vazhdohet të punohet për të patur një klimë më të qetë”, u Tarquinio.




















