Religjion
Kur padituria flet më zëshëm se dituria

Falënderimi i takon Allahut të Madhërishëm, Zotit të të gjitha botëve. Dërgojmë salavate dhe selame mbi të Dërguarin e fundit të Allahut dhe të dashurin e Tij, Muhamedin (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të), mbi shokët e tij, mbi familjen e tij dhe mbi të gjithë robërit e mirë të Allahut.
Vëllezër, e këshilloj veten dhe juve që të kemi besim të fortë në Allahun, në melekët e Tij, në Librat e Tij, në të Dërguarit e Tij, në Ditën e Gjykimit dhe në caktimin e Allahut.
Të dashur vëllezër, nëse sot do të pyesnim se cilat janë gjërat themelore në Islam, besoj se shumica prej nesh menjëherë do të thoshte: të besojmë në Allahun, ta falim namazin, ta agjërojmë ramazanin, ta japim zekatin dhe ta kryejmë haxhillëkun, për atë që ka mundësi. Dhe vërtet, këto janë themelet e fesë sonë.
Por, të dashur vëllezër, ekziston diçka që duhet t’i shoqërojë të gjitha këto, e ajo është sjellja e mirë.
Sepse njeriu mund të dijë shumë gjëra, mund të bëjë shumë ibadete, mund të falet dhe të agjërojë gjatë, mund të ketë edhe tituj të ndryshëm, por nëse sillet keq ndaj njerëzve që e rrethojnë, nëse në situata të ndryshme nuk di të tregojë moral të mirë, atëherë duhet ta pyesim veten se sa gjurmë kanë lënë këto ibadete në sjelljen e tij, sepse pikërisht këtë gjë është dashur ta bëjnë.
Prandaj nuk duhet të na befasojë fakti që i Dërguari i Allahut (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të), ka thënë se devotshmëria ndaj Allahut dhe sjellja e mirë janë ato që më së shumti do t’i fusin njerëzit në Xhenet.
Vëllezër, Islami nuk na mëson vetëm se si të falemi, të agjërojmë dhe të lexojmë Kuran. Islami na mëson edhe se si të bisedojmë, si të dëgjojmë, si të pyesim, si të sillemi me më të moshuarin dhe më të riun, me prindin, me fqinjin, me mikun, por edhe me atë prej të cilit e mësojmë fenë tonë.
Dhe pikërisht këtu vijmë te një çështje e rëndësishme për të cilën ndoshta nuk flasim mjaftueshëm, ose flasim, por nuk e zbatojmë: marrëdhënia jonë ndaj dijetarit, alimit, mësuesit dhe atij prej të cilit e mësojmë fenë tonë.
Allahu i Madhërishëm thotë:
قُلْ هَلْ يَسْتَوِي الَّذِينَ يَعْلَمُونَ وَالَّذِينَ لَا يَعْلَمُونَ – “Thuaj: A janë të barabartë ata që dinë dhe ata që nuk dinë?” (Ez-Zumer, 09).
I Dërguari i Allahut (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të), në një hadith kudsij ka thënë: “Kush i bën keq një veliu (të dashurit dhe të mbrojturit) Tim, Unë i kam shpallur luftë atij!” Për këtë imam Shafiu dhe Ebu Hanife kanë thënë: “Nëse dijetarët nuk janë evlijatë e Allahut, atëherë Allahu nuk ka evlija.”
Vëllezër, e gjithë kjo nuk do të thotë se dijetari është i paprekshëm. Nuk do të thotë se alimi është i pagabueshëm dhe se fjala apo puna e tij nuk duhet të verifikohet. Nuk do të thotë as se çdo person që mban titullin e dijetarit automatikisht ka të drejtë. Por do të thotë se dija ka vlerën e saj, ndërsa ai që bart dijen ka të drejtën dhe pozitën e tij.
I Dërguari i Allahut (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të), ka thënë: “Nuk është prej nesh ai që nuk e respekton të moshuarin, as ai që nuk tregohet i mëshirshëm ndaj të riut dhe as ai që nuk e di të drejtën dhe vlerën e të diturit.”
Prandaj, vëllezër, ju lutem që sot t’i mësojmë disa gjëra.
Së pari: Ta respektojmë dijen dhe bartësit e saj!
Sot njeriut i mjafton një telefon, disa minuta në internet dhe tashmë mund t’i shkojë mendja se është bërë dijetar. Lexon një publikim, shikon një video dhe tashmë ia jep vetes të drejtën të gjykojë dhe të flasë se çfarë është hallall, çfarë është haram, kush ka të drejtë, kush ka gabuar dhe kush ka devijuar.
Por nuk është mirë kështu! Sepse dija islame nuk fitohet në këtë mënyrë. Dijetari ka mësuar me vite, ka lexuar, ka dëgjuar, ka verifikuar, ka krahasuar mendimet, ka mësuar nga dijetarë të tjerë dhe vetëm pastaj ka folur. Prandaj, respektimi i dijetarit nuk është respektimi i njeriut për shkak të personalitetit të tij, por respektimi i dijes që ai bart dhe i amanetit që ka marrë përsipër.
Së dyti: Të dëgjojmë, të pyesim dhe të mos flasim pa dije
Kur ulemi para një njeriu të ditur për të dëgjuar një ligjëratë, ose kur dëgjojmë hutben, detyra jonë e parë është të dëgjojmë. Nuk kemi ardhur për ta plotësuar ligjërimin e tij, për t’i hedhur fjalë, për ta korrigjuar apo për të zhvilluar bisedë derisa ai flet.
Hasan bin Aliu (Allahu qoftë i kënaqur me të), e këshillonte të birin e tij: “O biri im, kur ulesh me dijetarët, përpiqu të dëgjosh më shumë sesa të flasësh dhe mëso mirë të dëgjosh, ashtu siç mëson të heshtësh mirë. Dhe mos ia ndërprit askujt fjalën derisa ta përfundojë, sado e gjatë që të jetë.”
Le ta shikojmë këtë edukatë, vëllezër: “Mos ia ndërprit askujt fjalën derisa ta përfundojë, sado e gjatë që të jetë.”
Kur alimi flet, ta lëmë ta përfundojë mendimin e tij. Të mos ia ndërpresim fjalën, të mos i flasim nga vendi, të mos komentojmë anash atë që po thotë dhe të mos e ndërpresim. Nëse diçka nuk e kuptojmë ose nuk pajtohemi me diçka, ta mbajmë mend dhe pas ligjëratës të pyesim ose ta verifikojmë.
Nëse dikush ka ndonjë nevojë të ngutshme dhe duhet të dalë, le të ngrihet dhe të dalë. Por nuk është e hijshme të hedhim fjalë për shkak të gjatësisë së ligjëratës ose hutbes, të komentojmë se sa ka mbetur deri në fund apo në çfarëdo mënyre ta pengojmë atë që flet.
Nëse e bëjmë këtë gjatë ligjëratës, tregojmë mungesë kulture. Ndërsa nëse e bëjmë gjatë hutbes, atëherë jo vetëm që i pengojmë të tjerët që kanë ardhur për të dëgjuar, por edhe vetes ia mohojmë dobinë dhe shpërblimin për të cilin kemi ardhur në xhami.
Sepse ai që nuk di të dëgjojë, vështirë se do të dijë edhe të mësojë. Prandaj, prej edukatës ndaj njeriut të ditur është: ta dëgjojmë kur flet, të mos ia ndërpresim ligjërimin dhe t’i japim mundësi ta përfundojë atë që ka filluar.
Së treti: Nëse mendojmë se alimi ka gabuar, të mos nxitojmë me gjykimin
Respektimi i dijetarëve nuk do të thotë ndjekje e verbër. Edhe alimi është njeri. Mund të gabojë. Mund të harrojë diçka. Mund ta vlerësojë gabimisht një çështje, rrethanat ose mënyrën se si do ta thotë diçka. Mund të shprehet gabimisht. Mund ta mbështesë njërin prej disa mendimeve të pranuara. Prandaj, nëse dëgjojmë diçka që na duket e gabuar, të mos themi menjëherë: “Ky nuk ka haber”, “ky nuk e njeh fenë”, “ky ka devijuar”, “ky është kështu ose ashtu”.
Së pari ta verifikojmë. Ta pyesim një dijetar tjetër, të ditur dhe kompetent. T’i pyesim ata që e njohin atë fushë. Sepse vetëm pse kemi mësuar disa sure, kemi dëgjuar disa ligjërata ose kemi lexuar disa tekste, nuk do të thotë se jemi bërë kompetentë për të gjykuar mbi dijen, punën dhe ekspertizën e një dijetari.
Nëse çdo njeri që ka lexuar diçka do të kishte të drejtë ta korrigjonte alimin, dijetarin dhe t’i tregonte se si duhet të punojë, atëherë me të drejtë mund të pyesim: Përse na duhen njerëzit e ditur, përse na duhen institucionet, përse na duhen vitet e shkollimit dhe përvoja e tyre?
Natyrisht, kjo nuk do të thotë se muslimani i zakonshëm nuk ka të drejtë të pyesë, të kërkojë sqarim ose të tregojë për atë që nuk i është bërë e qartë. Por ekziston dallimi midis pyetjes dhe gjykimit, midis kërkimit të sqarimit dhe poshtërimit publik të dijetarit.
Vëllezër, ta kujtojmë: nuk është e njëjta gjë t’i tregosh dikujt për një gabim dhe ta poshtërosh njeriun.
Nuk është e njëjta gjë të thuash: “Unë kam dëgjuar ndryshe, a mund ta shqyrtojmë këtë?” dhe të thuash: “Ti nuk ke haber.” Nuk është e njëjta gjë të thuash: “A nuk do të mund të bëhej kështu?” dhe të thuash: “Kështu do të bëhet.”
Njëra është kërkimi i së vërtetës, i së mirës dhe i më të mirës, ndërsa tjetra është mungesë kulture, mendjemadhësi dhe arrogancë. Njeriu mund ta ndërtojë reputacionin e tij për vite të tëra, ndërsa një fjalë e keqe mund t’i shkaktojë dëm të madh. Prandaj është e nevojshme të kemi sjellje të mirë ndaj dijetarëve.
Por, vëllezër, këtu nuk duhet të ndalemi.
Sepse ashtu siç muslimani e ka për obligim të dijë se si do të sillet ndaj dijetarit, edhe dijetari e ka për obligim të dijë se si do të sillet ndaj atij të cilin e mëson.
Për këtë, nëse do Allahu, do të flasim në hutben e ardhshme.
Vetëm edhe një gjë! Pas hutbes të mos themi: “Hoxha sot foli se si populli duhet t’i respektojë hoxhallarët.” Jo, vëllezër. Ne folëm për atë se Islami kërkon që ta respektojmë dijen dhe ata që e bartin atë. E kjo është shumë më e gjerë sesa respektimi i cilitdo individ.
E lusim Allahun e Madhërishëm që të na udhëzojë në rrugën e drejtë, ta përmirësojë sjelljen tonë, të na dhurojë dije të dobishme dhe t’i bashkojë zemrat tona në rrugën e së mirës. Amin!
Përshtati në shqip: Miftar Ajdini
(Islampress)





















