Kosovë
Gruda: Në seancë “na tradhtuan”, VV nuk e votoi kandidatin e PDK-së

Deputeti i PDK-së, Përparim Gruda, ka akuzuar Lëvizjen Vetëvendosje se e ka “tradhtuar” Partinë Demokratike të Kosovës gjatë procesit të zgjedhjes së nënkryetarëve të Kuvendit.
Gruda ka thënë se PDK-ja kishte shkuar në seancë për konsultime, duke pasur parasysh edhe afatin e 16 shtatorit, por sipas tij, gjatë procesit nuk është respektuar marrëveshja politike për votimin e kandidatit të PDK-së.
“Ne kemi thënë që shkojmë për ta konsultuar për hir të 16 shtatorit, por ajo u keqpërdor, siç e patë. Ajo u kthye në një absurd. Kur njëherë shpiket një arsyetim, ne shkojmë me 9 shtator, me 11 shtator u shpik një arsyetim tjetër, dhe me 11 shtator ne u tradhëtuam në seancë, se shqip thuhet ‘na u tradhëtuam’”, tha Gruda.
Ai ka deklaruar se PDK-ja e kishte votuar kandidatin e VV-së, por sipas tij, VV-ja nuk e kishte mbështetur kandidatin e PDK-së, pavarësisht deklarimeve publike se një gjë e tillë do të ndodhte.
“Ne votuam kandidatin e tyre, edhe pse patë deklarim publik para medias: ‘Do ta votojmë edhe kandidatin tonë.’ Nuk u votua. Tani, kur shkelet afati, shkelet fjala e dhënë politike, po shkelet edhe fjala e dhënë se do ta votojmë kandidatin tonë para mediave, para popullit të Kosovës, në kuvend, ne nuk mund të shkojmë në një kuvend ku ka veprime të tilla, dhe ne e dinim që kjo do të ishte komplet një lojë e radhës, dhe nuk mund të vazhdonim të lejonim që ne të fyeshim në atë mënyrë”, tha ai.
Gruda ka thënë se një veprim i tillë, sipas tij, përbën fyerje edhe ndaj PDK-së, por edhe ndaj qytetarëve, duke theksuar se partia e tij kishte votuar për nënkryetarin e propozuar nga pala tjetër.
“Se mendoj që është fyerje edhe e jonja, edhe e publikut, kur ka deklarime publike për votim. Ne kemi votuar nënkryetarin e 6, ka rëndësi për neve si njerëz të këtij vendi. Si mundet partia që ka fituar, me gënjyer publikisht dhe ta themelojmë, mos me e marrë fjalën publikisht? Dhe kjo ka rëndësi për gjykatën, jo për politikën. Për neve si njerëz që jetojmë në këtë vend, ka shumë rëndësi”, tha Gruda.




















