Lajme
Dauti viziton pikën kufitare Bellanoc–Stançiq: Po punojmë që të mundësohet edhe qarkullimi i mallrave

Zëvendësdrejtori i Doganave të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Mustafa Dauti, ka zhvilluar sot një vizitë zyrtare në pikën kufitare Bellanoc–Stançiq, e cila lidh Maqedoninë e Veriut me Republikën e Kosovës, transmeton ZYRTARE.net
Gjatë vizitës, Dauti theksoi rëndësinë e kësaj pike kufitare për qytetarët dhe lidhjen rajonale, veçanërisht ndërmjet zonës së Kumanovës dhe Gjilanit.
Sipas tij, pika kufitare aktualisht është e dedikuar vetëm për kalimin e automjeteve, ndërsa institucionet po punojnë që në të ardhmen të mundësohet edhe qarkullimi i mallrave.
“Kjo pikë na lidh jo vetëm fizikisht me Kosovën, por edhe ekonomikisht. Prandaj, investimi në funksionalitetin e saj dhe në modernizimin e mënyrës së punës është investim në një lidhje më të mirë ndërmjet dy vendeve dhe në një rajon më të ndërlidhur”, deklaroi Dauti.
Ai tha se gjatë vizitës ka parë nga afër gjendjen dhe mënyrën e funksionimit të pikës kufitare dhe ka diskutuar për mundësitë e përmirësimit dhe zhvillimit të saj.
Një tjetër proces në të cilin, sipas Dautit, po punohet intensivisht është funksionalizimi i sistemit One Stop Shop edhe në këtë pikë kufitare.
Ky sistem synon të mundësojë procedura më të shpejta, më efikase dhe më të koordinuara për qytetarët, ngjashëm me pikat kufitare ku tashmë aplikohet.
“Për ne, përmirësimi i infrastrukturës, organizimi dhe shërbimi në pikat kufitare nuk është vetëm çështje administrative, por është pjesë e përpjekjes për të krijuar lëvizje më të lehtë, bashkëpunim më të mirë ndërkufitar dhe lidhje më të forta rajonale”, u shpreh Dauti.

















