Lajme
Latif Arifi reagon ndaj “Portokalli”-s: Satira u shndërrua në propagandë politike kundër shqiptarëve të Maqedonisë

Latif Arifi nga VLEN ka reaguar ashpër ndaj një interpretimi në emisionin humoristik Portokalli, duke e cilësuar atë si propagandë politike të maskuar në satirë.
Sipas Arifit, është e papranueshme që në një ekran shqiptar të fyhet dhe denigrohet elita politike shqiptare në Maqedoni vetëm pse, siç thotë ai, “nuk i shërben interesave të BDI-së dhe qarqeve të afërta me pushtetin në Tiranë”.
Ai thekson se interpretimi me “korin e studentëve të Maqedonisë” nuk kishte të bënte me humorin, por me një mesazh politik të qartë.
“Kur humori përdoret si armë politike, ai pushon së qeni satirë dhe shndërrohet në propagandë të ulët”, shkruan Arifi.
Sipas tij, nëse mesazhi ishte në funksion të një pale politike, atëherë do të ishte më e ndershme të etiketohej si “kori i studentëve të BDI-së” dhe jo të përfshiheshin padrejtësisht shqiptarët e Maqedonisë.
Arifi më tej shton se shqiptarët e Maqedonisë nuk janë “objekt talljeje për skenarë të porositur politikisht”, duke nënvizuar se ata janë pjesë e pandashme e kombit shqiptar dhe meritojnë respekt e dinjitet.
Në fund të reagimit, ai thekson se dashuria për Shqipërinë mbetet e palëkundur, por sipas tij, askush nuk ka të drejtë ta përdorë ekranin shqiptar për të fyer shqiptarët jashtë kufijve të Shqipërisë.
















