Religjion
Ramazani është porta e rahmetit

Jemi në ditën e dytë të Ramazanit dhe, logjikisht, në dhjetëditëshin e parë të tij, i cili, siç e dimë, është rahmet. Kjo pjesë e muajit quhet Mëshirë e Allahut, ndonëse vetë Ramazani, në tërësinë e tij, është një mëshirë e pamasë dhe e pakonceptueshme për mendjen njerëzore, dhuruar nga i Gjithëmëshirshmi. Përmbajtjet e këtij muaji e dëshmojnë dhe e konfirmojnë këtë fakt.
Agjërimi është mëshirë, sepse përmes tij Krijuesi ynë na e mëson qëndrueshmërinë dhe vendosmërinë. Na mëson të ngulmojmë në të mirën dhe t’i kundërvihemi me vendosmëri të keqes. Agjërimi është mburojë; ai na mbron nga çdo gjë që na tërheq drejt rrënimit dhe na pajis me një “parzmore” shpirtërore, që edhe kur nuk agjërojmë, të jemi të aftë të qëndrojmë larg asaj që na shpie drejt shkatërrimit. Agjërimi e forcon edhe shëndetin tonë; e dimë që Pejgamberi (a.s.) ka thënë: “Agjëroni që të jeni të shëndetshëm.”
Xhemati është mëshirë, kurse në Ramazan ne jemi veçanërisht xhemat. Ashtu siç i hap Ramazani portat e Xhenetit dhe i mbyll ato të Xhehenemit, ai gjithashtu i hap edhe zemrat tona, të cilat i drejtojnë hapat tanë drejt dyerve të xhamisë, që qëndrojnë të hapura çdo ditë dhe gjatë gjithë vitit. Në Ramazan ne jemi xhemat më i madh dhe më i fortë, dhe dihet që Pejgamberi (a.s.) ka thënë se mëshira e Allahut është me xhematin dhe mbi xhematin. Që mëshira e Allahut të na shoqërojë dhe të na ndriçojë çdo ditë, dhe jo vetëm gjatë ditëve të Ramazanit, është e domosdoshme që të jemi xhemat kudo; e kjo do të thotë, që të kemi mirëkuptim për tjetrin, që të jemi të gatshëm për ndihmë, pra të thotë, që të duhemi dhe të jemi vëllezër. Mëshira e Allahut është me xhematin; prandaj, kur ne të bashkuar e në harmoni e rregullojmë fshatin tonë, aty është mëshira e Allahut; kur të bashkuar i rregullojmë varrezat e xhematit tonë, edhe aty është mëshira e Allahut.
Namazi është shtylla e fesë sonë. Nuk ka rrugëtim drejt mëshirës hyjnore pa sexhden, pa rukunë; nuk ka hyrje në strehën e mëshirës së të Gjithëmëshirshmit pa abdest dhe pa kthimin e fytyrës drejt Kiblës. Nuk mund të hyhet në Xhenet pa namaz, sepse gjëja e parë për të cilën do të pyetemi është namazi; nëse për këtë pyetje nuk ka përgjigje pozitive, pyetjet e tjera anulohen dhe rruga drejt gjirit të mëshirës së Allahut mbyllet. Por, as vetë namazi nuk mjafton për t’u shpëtuar vetëm si formë, pa mëshirën e Allahut. Ai namaz që na edukon, që lë gjurmë tek ne, ajo sexhde këtu në xhami që do të të bëjë të njohur në rrugë për moralin tënd të bukur, është rruga e sigurt drejt vendit të sigurt – fi mekamin emin.
Shëndeti është mëshirë e Allahut. Allahu i Lartësuar është burimi dhe zanafilla e çdo gjëje, dhe ne jemi të shëndetshëm falë Tij. Jemi të shëndetshëm sepse Ai ashtu dëshiron. Pejgamberi (a.s.) na nxit që ta shfrytëzojmë shëndetin përpara sëmundjes, pasi që jemi të vetëdijshëm se sëmundja dhe dobësia vijnë me siguri; prandaj, shfrytëzimi i shëndetit dhe investimi i fuqisë në rrugën e Allahut është një hap i sigurt drejt mëshirës së Tij. Drejt kësaj sakrifice në rrugën e së mirës na nxit reflektimi mbi ngjarjet ramazanore si Bedri dhe Fet’hi (Çlirimi i Mekës). Bedri ishte mbrojtje, ndërsa Fet’hi ishte fitore. Ramazani, me përmbajtjet e veta, na ofron fuqi; na jep mundësinë që të armatosemi me forcë, në mënyrë që në çdo ditë që zbardh, ta udhëheqim me vendosmëri betejën me vetveten dhe të marshojmë drejt fet’hit tonë personal, drejt fitores sonë – e fitorja jonë është hyrja nën mbrojtjen e mëshirës së Allahut. I Lartësuari na premton se besimtarët do ta arrijnë atë që dëshirojnë.
Ne e dëshirojmë Xhenetin, ne përgjërohemi për mëshirën e Zotit, sepse pa të Xheneti është i pamundur; prandaj, të fuqizuar nga Ramazani, do ta jetojmë fenë në çdo ditë. Paramendoni se çfarë mëshire, çfarë privilegji është që ta njohësh qëllimin, ta njohësh qëllimin e jetës dhe rrugën që të shpie tek ai. Qëllimi ynë, si besimtarë, është që në këtë botë (dynja) të jetojmë të lumtur, ndërsa në botën tjetër (ahiret) të shpëtojmë nga zjarri. Ekziston një natë e Ramazanit që na e kujton këtë mëshirë të pamasë të dhuruar nga Allahu. Ajo natë është më e vlefshme se një mijë muaj, pikërisht sepse në të na erdhi udhërrëfyesi; na u tregua qartë rruga drejt lumturisë dhe shpëtimit. Që të ecim me hap të palëkundur drejt sigurisë së botës tjetër dhe që ta jetojmë lumturinë këtu, duhet që në çdo ditë, dhe jo vetëm në ato të Ramazanit, t’i kemi ndërmend fjalët e Allahut se Kurani udhëheq drejt të vetmes rrugë të drejtë. Dhe ashtu siç shoqërohemi me Kuranin në Ramazan, ashtu duhet edhe t’i jetojmë rregullat kuranore çdo ditë dhe të mos i kalojmë kufijtë.
Kur Allahu i Plotfuqishëm flet për mëshirën e Vet, Ai thotë: “Mëshira Ime ka përfshirë çdo gjë, por Unë do t’ua jap atyre që ruhen prej gjynaheve, që e japin zekatin dhe atyre që u besojnë argumenteve Tona.” (el-A’raf, 156). Ja këtu, në këtë botë, mëshira e Allahut është për të gjithë. Ne dëshmojmë se të gjithë njerëzit, pavarësisht se çfarë dhe si besojnë, qofshin të dhënë pas mirësisë apo të zhytur në mëkate, thithin të njëjtin ajër, pijnë të njëjtin ujë, dhe të mbjellat u mbijnë njësoj nga toka… Por, për mëshirën e veçantë, atë për të cilën Allahu i Plotfuqishëm thotë: “veçanërisht do t’ua jap”, duhet të jesh i veçantë, duhet të jesh besimtar; duhet të jesh besimtar për të cilin Ramazani është mundësi për ta forcuar imanin në zemër dhe për ta stabilizuar hapin në rrugën e drejtë, në mënyrë që në çdo ditë të jetës të nxitojë drejt mëshirës së Allahut. Kjo është e mundur nëse edukohemi duke agjëruar, nëse forcohemi përmes xhematit, nëse i përgjigjemi çdo ditë thirrjes së ezanit, nëse udhëheqim pandërprerë betejën me vetveten dhe nëse ecim gjithmonë në të vetmen rrugë të drejtë.
O Allahu i Lartësuar, na mundëso që në këto ditë të cilat janë emërtuar si Rahmet, ta kuptojmë dhe ta njohim rrugën përmes së cilës mund të arrijmë te Rahmeti Yt. Amin!
Hatib: Izet ef. Čamdžić
Përshtati në shqip: Miftar Ajdini
(Islampress)






















