Bota
Një BE me “Ligë Superiore” dhe “Kategori të Parë”

Ndërsa arkitektura politike e Brukselit po dridhet nga inercia dhe bllokimet e shpeshta, boshti Berlin-Paris ka vendosur të lëvizë gurët. Gjermania dhe Franca po zyrtarizojnë një koncept që dikur pëshpëritej në korridoret e pushtetit, por që sot është realitet: Bashkimi Evropian me dy shpejtësi.
Gjashtështja që do të udhëheqë
Ministri gjerman i Financave, Lars Klingbeil, dhe homologu i tij francez, Roland Lescure, kanë thirrur të mërkurën në një mbledhje një grup elitar të përbërë nga gjashtë ekonomitë më të mëdha të bllokut (Gjermania, Franca, Italia, Spanja, Polonia dhe Holanda).
Ky grup synon të krijojë një “Ligë Superiore” që do të vendosë për sovranitetin monetar, mbrojtjen e përbashkët dhe sigurimin e lëndëve të para kritike për të mos u varur nga SHBA apo Kina. Mesazhi është i qartë: Kush ka fuqinë ekonomike, do të ketë edhe timonin e vendimmarrjes, duke anashkaluar veton e shteteve që shpesh bllokojnë proceset, siç është rasti i Hungarisë.
Ballkani në “Kategorinë e Parë”
Ky ndryshim paradigme vjen në një moment kritik për vendet e Ballkanit Perëndimor. Shqipëria dhe Mali i Zi, të cilat po shpejtojnë hapat e reformave, shpresojnë t’i bashkohen familjes evropiane brenda 3 deri në 4 viteve të ardhshme.
Megjithëse entuziazmi shoqërohet me një dozë të fortë realizmi. Në modelin e ri që po propozohet, anëtarësimi i këtyre vendeve nuk do t’i rreshtojë ato menjëherë krahas “vendeve themeluese”. Me shumë gjasa, Shqipëria dhe fqinjët e saj do të pozicionohen në “Kategorinë e Parë’ të BE-së.
Pra ato mund të mos kenë fuqinë për të bllokuar vendimet e mëdha të bllokut. Do kenë pjesëmarje të përbashkët në BE, por me qasje të kufizuar në fondet dhe vendimmarrjen politike të bërthamës qendrore. Po ashtu, do kenë statusin e “vëzhguesit aktiv”.
Një pozicion ku përfiton siguria dhe ekonomia, por sovraniteti politik mbetet nën hijen e Berlinit dhe Parisit. Nëse dikur BE mburrej me parimin ‘një shtet, një votë”, sot urgjenca gjeopolitike (e nxitur edhe nga pasiguria që vjen nga Uashingtoni nën administratën Trump) po e detyron Evropën të jetë më pragmatiste.
Për Tiranën dhe Podgoricën, kjo është një thikë me dy presa. Nga njëra anë, rruga drejt BE-së mund të hapet më shpejt pasi “standardet e larta” të vendimmarrjes nuk do të jenë më pengesë për anëtarët e rinj. Nga ana tjetër, ato rrezikojnë të mbeten në periferi të vendimmarrjes, si qytetarë të dorës së dytë në një projekt që po bëhet gjithnjë e më shumë hierarkik.
“Vazhdimi si më parë nuk është më një opsion!”- tha të mërkurën Klingbeil. Dhe për Ballkanin, kjo do të thotë se ftesa për në festë mund të vijë shpejt, por jo në tryezën kryesore./tesheshi/





















