Lajme
Mexhiti: Qeveria me Badenter nuk faktorizon shqiptarët, duhet analizuar më mirë

Kreu i Çairit dhe njëri nga liderët e VLEN, Izet Mexhiti në emisionin “Klik plus” në TV21 lidhur me propozimin e opozitës për zgjedhjen e qeverisë me Badenter, ka thënë se duhet të analizohet më mirë.
“Mendoj se duhet të analizohet më thellë nga ekspertë të fushës juridike, duhet të kemi parasysh se në vitin 2007 kur BDI, ku edhe unë isha pjesë e saj arritëm një marrëveshje të pashkruar që fituesi me fituesin të bëjnë qeveri që nuk nënkuptonte parimin e Badenterit, por fituesi të pala maqedonase dhe fituesi te pala shqiptare ta krijojnë qeverinë legjitime e cila në vitin 2008 u implementua, por u bë gabimi që ajo marrëveshje e pashkruar e Majit nuk u bë pjesë e legjislativit dhe mbetet çështje vullneti që për hirë të së vërtetës në vitin 2016 vetë ne e kemi shkelur”, rikujton Mexhiti.
Mbyllëm një kapitull të errët Gruevski- Ahmeti
Por nuk kemi gabuar, shton ai, sepse e kemi mbyllur një kapitull të zymtë të qeverisë Gruevski- Ahmeti dhe kemi hapur një perspektivë të re të qeverisë Zaev- Ahmeti dhe ajo solli inkuadrimin e vendit në NATO.
“Mund të bisedohet si ide, por nuk jam i bindur se është më e mira, pasi qeveria me parim të Badenterit nuk nënkupton faktorizim të shqiptarëve, por faktorizim të jomaqedonasve, ne kemi pasur situata në të kaluarën kur deputetë të ndryshëm herë deklaroheshin maqedonas, herë vllahë apo të komunitetit tjetër dhe duhet të mendohet pak më mirë”, ka nënvizuar Mexhiti.
















