Lajme
“Foleja e Qyqes”: kur opozita pret që SPAK-u t’i ngrohë “vezët” e pushtetit

Shqipëria gjendet sot para një paradoksi politik rrëqethës: qeveria “Rama”, e mbytur nën peshën e skandaleve korruptive që shpërthejnë çdo javë si mina me sahat, po tenton të projektojë imazhin e një fortese të pathyeshme drejt mandatit të katërt.
Megjithatë, kjo siguri është e rreme. Edhe pse në Tiranë duket sikur ai kontrollon gjithçka, nga Uashingtoni mund të vijnë lajme të befta që mund ta tronditin nga themelet godinën e kryeministrisë.
Në një vend normal, kjo mbipeshë pushteti dhe kërcënimi i vazhdueshëm nga hetimet ndërkombëtare do të kishte prodhuar një rrotacion të pashmangshëm. Por në Shqipëri, opozita nuk po ndërton një alternativë; ajo është fshehur në “folenë e qyqes”, duke pritur që vezët e saj t’i ngrohë dhe t’i rrisë SPAK-u.
Butaforia e “të rinjve” dhe vetë-syrgjynosja e të vjetërve
Ndërsa Sali Berisha e ka shndërruar Partinë Demokratike në një hipotekë familjare për mbrojtjen e interesave të veta, shpresa e atyre që pretendojnë të renë po rezulton një flluskë sapuni.
Imazhi i Adriatik Lapajt, që prej më shumë se një muaji performon ritualet e tij para Kryeministrisë, është pasqyra më e qartë e një opozitarizmi butaforik. Lapaj, i rrethuar nga një grusht besnikësh, duket se është më i interesuar për estetikën e protestës dhe “selfiet” e radhës sesa për artikulimin e një projekti politik me peshë.
Është një opozitë pa ide, që konsumohet në monologje patetike dhe poza televizive, duke e shndërruar revoltën qytetare në një shfaqje teatrore pa asnjë ndikim në terren. Bashkë me tentativat e Shehajt apo Qorrit, që lëvizin në periferi të aksionit real, këto lëvizje mbeten fragmentare dhe të pafuqishme për të thyer monolitizmin e pushtetit.
SPAK si “prindi” i adoptuar
Në këtë vakum total aksioni, e gjithë strategjia opozitare – si e vjetra, ashtu edhe e reja – është reduktuar në një pritje pasive. Ashtu si qyqja që i lë vezët në folenë e zogjve të tjerë, klasa jonë politike e ka dorëzuar fatin e rrotacionit në duart e prokurorëve.
Strategjia e tyre është kapitulluese: “Le t’i arrestojë SPAK-u, ose le ta godasin nga SHBA-ja, që të fitojmë ne!’”. Ky është fundi i politikës. Shpresat nuk varen më te programi ekonomik apo vizioni për shtetin, por tek fletë-arrestet e radhës apo te dosjet që mund të vijnë nga përtej oqeanit.
Opozita po pret që drejtësia të bëjë punën që ajo vetë nuk ka guxim, as ide dhe as mbështetje popullore ta bëjë. Ata presin që goditjet e Klodian Brahos të rrëzojnë muret e pushtetit, në mënyrë që ata të hyjnë në rrënoja pa asnjë sforcim.
Rreziku i mentalitetit të “Folesë së Qyqes”
Ky lloj mentaliteti është i rrezikshëm. Së pari, sepse SPAK ka mision ligjin, jo ndërrimin e qeverive. Së dyti, sepse edhe nëse skandalet dhe goditjet nga jashtë e rrëzojnë këtë qeveri, pa një opozitë të vërtetë, vendi thjesht do të kalojë nga një krizë në tjetrën.
“Foleja e qyqes” mund të jetë komode për momentin, por ajo nuk prodhon udhëheqës por vetëm spektatorë që luten për mrekulli nga prokuroria. Nëse personazhe si Lapaj nuk dalin nga butaforia e tyre dhe nëse opozita tradicionale nuk shkëputet nga pengmarrja familjare, viti 2026 do të jetë vetëm një tjetër akt në dramën e opozitarizmit shqiptar.
Shqipëria ka nevojë për alternativë, jo për aktorë që presin radhën nën hijen e godinës së SPAK-ut.





















