Connect with us

Lajme

Monopatinat në rrugët e Shqipërisë, stop policor që nga e hëna

Publikuar

Ministria e Brendshme e Shqipërisë dhe Policia e Shtetit kumtuan së bashku vendimin për të ndaluar përkohësisht qarkullimin e monopatinave apo trotinetëve elektrike në rrugët e vendit, pas shtimit të ndjeshëm të aksidenteve me këtë mjet dyrrotësh të ri në rrugë, në dukje praktik por me pasoja.

Nga e hëna, Policia do të nisë një operacionin për ndalimin e përkohshëm të të tyre, sipas asaj çfarë deklaroi ministrja Albana Koçiu, dhe kryepolici Ilir Proda.

“Sot i kam kërkuar Policisë së Shtetit që përkohësisht të mos lejojnë qarkullimin e monopatinave elektrike në rrugë.

 Gjithashtu dua të informoj të gjithë ata që e shohin monopatinën elektrike si mënyrë biznesi për dhënien me qira ditore, duhet ta kenë të qartë që të mos investojnë në këtë aktivitet.

Lejimi gjithmonë pas përfundimit të këtij procesi do të jetë i vlefshëm vetëm për përdorim vetjak të këtyre mjeteve.

Ne do të hartojnë rregulla të qarta dhe të zbatueshme nga të gjithë. Do qartësojmë se cilat janë korsitë, rrugët apo hapësirat ku monopatinat elektrike mund të përdoren dhe ku jo, si dhe kritere për moshën e përdorimit, masat mbrojtëse si kasa, ndriçimi apo shpejtësia e lejuar”, tha ministrja Koçiu.

Nga ana tjetër, Proda ofroi dhe një bilanc: 991 raste aksidente nga monopatinat.

“Që nga dita e hënë Policia e Shtetit do të përfshihet në operacion për ndalimin e qarkullimit të këtyre mjeteve dhe prandaj kërkojmë mirëkuptimin e qytetarëve për këtë proces.

Ne kemi bërë një analizë të hollësishme në lidhje me këtë fenomen dhe kemi arritur në përfundimin që përdorimi i këtyre mjeteve po shkakton një rrezik imediat për sigurinë publike.

Mjafton të përmendim faktin që vetëm për vitin 2024 janë 991 raste të raportuar nga Urgjenca për aksidentet me këto mjete.

Midis këtyre rasteve ka patur edhe fatalitete dhe dëmtime shumë të rënda”, tha drejtori i përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ilir Proda.

Ndalimi i tyre është bërë përkohësisht deri në hartimin e plotë të një plani, siç tha ministrja Koçiu. Deri atëherë, rregulla të reja strikte do të bëhen gati, nga lëvizja, te mosha e deri te shpejtësia. /tesheshi.com/

NA NDIQ NË FACEBOOK