Kosovë
Vrasje me armë zjarri. Identifikohen viktima dhe autori – Foto

Një ngjarje tragjike ka tronditur mbrëmjen e sotme fshatin Balaj të Ferizajt, ku një person ka humbur jetën si pasojë e një vrasjeje me armë zjarri. Viktima është identifikuar si Brahim Ramusa, 40 vjeç.

Ngjarja ndodhi rreth orës 19:42, pas një informacioni të marrë nga Policia e Kosovës. Menjëherë pas denoncimit, njësitë policore kanë mbërritur në vendin e ngjarjes dhe kanë nisur veprimet hetimore. Si rezultat i tyre, është arrestuar i dyshuari kryesor, i cili është identifikuar si Bekim Ramusa.
Zëdhënësi i Policisë për rajonin e Ferizajt, Kanun Veseli, konfirmoi arrestimin dhe sekuestrimin e një arme zjarri. Rasti po hetohet nga njësitë përkatëse nën udhëheqjen e prokurorit të shtetit.
Ende nuk dihen rrethanat e plota të ngjarjes dhe motivi i vrasjes, por hetuesit e krimeve të rënda dhe njësitë relevante të Policisë së Kosovës janë duke punuar intensivisht për zbardhjen e plotë të rastit.
Mediat lokale kanë raportuar se profili në Facebook i të dyshuarit, Bekim Ramusa, është i mbushur me postime me armë, detaj ky që shton dyshimet për një sjellje të dhunshme të mundshme. Ky krim i rëndë ka shkaktuar shqetësim dhe trishtim në komunitetin lokal.

















