Maqedoni
Arben Fetai: BDI-në e pret një cunami i vërtetë nga Dibra deri në Likovë

Zëvendëskryeministri për qeverisje të mirë, Arben Fetai në hapjen e Shtabit qendror në Dibër sonte tha se e kemi dëshmuar me vepra konkrete se çka do të thotë ndryshimi. Krejt kjo siç tha ai, përmes investimeve nga ai miliardëshi që kemi premtuar për mandatin qeveritar se ne jemi të interesuar të tejkalojmë të gjitha problemet e trashëguara.
“Në Dibër janë duke u zbatuar 25 projekte nga niveli qendror që peshojnë së bashku 3 milionë euro, pra ne ia kemi ndarë Dibrës si ekzekutiv për projekte, infrastrukturë rrugore, kanalizim dhe shumë probleme që BDI nuk i ka zgjidhur asnjëherë për 23 vite”, tha Fetai.
Ai ka folur edhe për Botën serbe, duke akuzuar BDI-në opozitare.
“Unë sot isha në Parlament për pyetje deputetësh, bashkë me Azirin, Izetin disa ministra ishim aty dhe pamë demagogjinë klasike dhe hipokrizinë e skajshme të BDI-së të cilët neve na sulmojnë për Botën serbe, për përfaqësimin e drejtë, pra sulmojnë në mënyrë paushale, sepse nuk kanë asnjë argument”, tha ai.
Fetai tha se personalisht ka punuar 6 muaj bashkë me Mexhitin dhe ekipet, ku në qeveri është sjell ligj për përfaqësimin e drejtë dhe adekuat, 24 vite pas Marrëveshjes së Ohrit. Pra 23 vite pas afatit, që ky ligj do duhej sjellë nga BDI, “por ata nuk e bënë asnjëherë, sepse nuk u ka interesuar pozita e shqiptarëve”.
“Por ne me punët e tona dhe veprat tona i kemi demaskuar dhe i kemi zhveshur tërësisht, me vepra konkrete dhe besoj se e kanë të qartë, se i pret një cunami i vërtetë në çdo komunë me shumicë shqiptare, nga këtu në Dibër, Strugë e deri në Likovë”, ka thënë Fetai.
















