Bota
Trump “pastron” Uashingtonin/ Presidenti: Garda kombëtare do largojë kriminelët dhe të pastrehët

Kryeqyteti ynë është pushtuar nga bandat e dhunshme dhe kriminelët e etur për gjakderdhje.
Kjo ishte fjalia që Donald Trump përdori në fjalimin e tij nga Shtëpia e Bardhë ku njoftoi se ka shpallur Emergjencën e Sigurisë Publike në Washington dhe për këtë arsye atje do të vendosen Trupat e Gardës Kombëtare për të pastruar kryeqytetin Amerikan nga personat e pastrehë dhe kriminelët.
“Po njoftoj një veprim historik për të shpëtuar kryeqytetin e kombin tonë nga krimi, gjakderdhja, rrëmuja, mjerimi dhe më keq akoma. Kjo është dita e çlirimit të Washington DC. Me autoritetin që kam si President i Shteteve të Bashkuara të Amerikës po aktivizoj Seksionin 740 të Aktit të Sundimit Vendor ku Departamenti I Policisë metropolitan do të jetë nën kontrollin federal. Garda Kombëtare do të zbresë në rrugët e kryeqytetit tone për të rivendosur ligjin dhe sigurinë publike në Washington DC.”, ka thënë Trump.
Në muajin Qershor 5 mijë trupa u vendosën në Los Angeles për t’iu përgjigjur protestave kundër bastisje dhe dëbimit të emigrantëve të paligjshëm duke sjellë kështu përplasje të dhunshme me qytetarët. E njëjta gjë pritet të ndodh edhe në Washington ku përveç Kriminelëve, Trupat e Gardës Kombëtare do të zhvendosin edhe personat e pastrehë për të përmirësuar imazhin Kryeqytetit Amerikan. Sipas të dhënave të qeverisë Amerikane, në qytetin Washington DC jeton aktualisht 5138 persona të pastrehë.
















