Lajme
Pas Shqipërisë, Farage hap “front lufte” me Greqinë

Pasi iu vërsul shqiptarëve në Angli, duke vijuar më pas në një replikë në distancë me kryeministrin Rama, politikani kontravers britanik Nigel Farage, në një farë mënyre dhe ideatori dhe flamurtari i Brex-it, tani ai po hap një “front lufte” me Greqinë
Në një ndërhyrje mbi çështjen e skulpturave të Partenonit, të pretenduara nga shteti helen, Nigel Farage, një figurë kryesore e euroskepticizmit britanik dhe kreu i partisë Reform UK, deklaroi se nëse ato do të kishin qëndruar në Greqi, sot nuk do të ekzistonin.
Për gazetën britanike The Sun, Farage tha: “Nëse skulpturat do të kishin qëndruar në Greqi, ato nuk do të ekzistonin sot. Muzeu Britanik ka qenë një mbrojtës i jashtëzakonshëm i disa prej thesareve më të mëdha të botës dhe duhet të vazhdojë të jetë.”

Deklarata e tij ka shkaktuar tashmë reagime, në sfondin e kërkesës së vazhdueshme për kthimin e skulpturave të famshme në Greqi dhe debatit të vazhdueshëm si në nivelin politik ashtu edhe brenda Muzeut Britanik.
Figura të tjera publike në sferën konservatore kanë lëvizur gjithashtu në të njëjtën gjatësi vale me Farage. Ish-kryeministrja Liz Truss dhe historiani Dr. David Starkey kanë nënshkruar një letër drejtuar udhëheqësit të Partisë Laburiste, Keir Starmer, duke shprehur kundërshtimin e tyre të fortë ndaj kthimit të mundshëm të skulpturave.
Në letër, ata ankohen se Muzeu Britanik po “merr pjesë në një fushatë të fshehtë dhe të përshpejtuar” për kthimin e skulpturave në Greqi, ndërsa argumentojnë se një veprim i tillë do të përbënte një lëshim ndaj presionit politik dhe do të rrezikonte unitetin dhe rolin e koleksioneve kombëtare. /tesheshi.com/





















