Lajme
Qoku – BDI-së: Gjithçka e kanë bërë mbrapsht, si ka mundësi të kenë punuar kaq keq?

Deputeti Bekim Qoku ka dalë me një deklaratë të ashpër ku kritikon ashpër mënyrën se si është qeverisur vendi në dy dekadat e fundit, me theks të veçantë mbi trajtimin e çështjeve që prekin shqiptarët.
“Gjithçka e kanë bërë mbrapsht. Si ka mundësi të kenë punuar kaq keq?” – shprehet ai, duke listuar një sërë dështimesh në implementimin e çështjeve kyçe si zbatimi i Marrëveshjes së Ohrit, zyrtarizimi i gjuhës shqipe, përfaqësimi i drejtë në institucionet shtetërore, regjistrimi i popullsisë, shpërndarja e buxhetit të shtetit, si dhe investimet kapitale në zonat shqiptare.
Qoku nënvizon se të gjitha këto tema janë ose deformuar, ose përdorur për të thelluar padrejtësinë dhe përjashtimin e shqiptarëve. Ai e cilëson këtë situatë si pasojë të një mendësie të cekët dhe të interesuar vetëm për përfitime personale.
“Çfarë është mbjellë me mbrapshti këto 20 vjet, ne do ta korrim për shumë vite me radhë. Çdo veprim me interes kombëtar po u shembet si kullë letrash,” thekson Qoku, duke akuzuar elitat politike për veprim sipërfaqësor dhe përqendrim vetëm në pasurimin personal.
Megjithatë, deputeti thekson se kjo nuk është arsye për të qëndruar duarkryq. “Koha është për një përballje me të vërtetën, për drejtësi dhe barazi të vërtetë. Koha është për veprim të përbashkët,” përfundon ai./ZYRTARE.net



















