Connect with us

Shqipëri

Donte një fushatë si të Trumpit, po i del një fushatë si e Bidenit

Publikuar

Nga Skënder Minxhozi/

Si Trump ka vetëm kapelen që i kanë thënë të mbajë në kokë. Të tjerat deri tani i ka si Joe Biden, presidenti të cilin e urreu në heshtje, teksa shihte sesi administrata e tij e dënonte me statusin non grata. Sali Berisha po bën të flitet shumë për të këto orë, jo edhe aq për premtimet të cilat dihen se sa të shumta e bujare janë në kohë fushatash, por më tepër për gafat, gjestet e shkarjet e vogla banale para kamerave. Është një Berishë ky i fushatës së fundit elektorale, të cilin e njihnim dhe e kujtonim shumë të ndryshëm gjatë 30 viteve të fundit: majë kalit të garës elektorale, plot vrull e populizëm që i buronte nga e gjithë qenia e tij. Aq sa shumëkush, miq apo armiq,  pranonin me gjysëm zëri se ky politikan kishte lindur për fushatat dhe mitingjet.

Sot rrjedha e ngjarjeve e ka kthyer Berishën në sinoret biologjike të dikujt që e ka të vështirë të menaxhojë ritmin e një fushate kombëtare zgjedhjesh. Pak a shumë ashtu si “i urryeri” Joe Biden i cili rrëshqiste nga shkallët e avionit apo ngrinte me shikimin diku në sallë teksa mbante një fjalim. Është ana e vetme që Berisha s’do të donte ta shfaqte në publik. Është ai aspekt që tek një politikan populist si ai, i cili ofron gjithmonë luftën, përballjen dhe grushtin e ngritur, përbën një kontrast të papranueshëm, një thyerje kapitulluese, një kthesë fatale drejt humbjes.

Sali Berisha ka pasur vetëm një tabu në jetën e tij politike: të duket i dobët para syve të shqiptarëve. Në momentet më të vështira ai ka qenë sfidues dhe i palëkundshëm, i ashpër dhe i panegociueshëm në qëndrime e sjellje. Ka qenë arketipi i liderit politik të postkomunizmit që nuk ndërron rrugë në asnjë rrethanë, që mbetet stoik dhe idhnak, cilatdo të jenë situatat dhe pozita ku ndodhet.

Kjo fushatë po na zbulon për herë të parë një Berisha në variantin e tij “soft”. Një politikan që ka humbur sigurinë në ecje, të cilit njerëzit i urojnë shëndet duke i vënë në dukje moshën, që nis të harrojë datat e vendet apo që fjalët i dalin të shtrembëruara duke u bërë objekt ironie e shpotie nga kundërshtarët. Gjithçka normale dhe fiziologjike për një njeri me shumë vite mbi shpinë, por njëherësh edhe gjithçka që është e papranueshme dhe që bie ndesh me modelin dhe mentalitetin që Sali Berisha ka kultivuar në politikën shqiptare.

Doktori do të donte një fushatë të tipit të Donald Trump, e cila përfundoi me fitoren e miliarderit përballë dyshes Biden-Harris. Në fakt pa dëshirë dhe në mënyrë krejt të papritur fushata e tij po nis t’i ngjajë listës së gafave e rrëzimeve të Joe Biden. Një spostim fatal dhe më i urryeri i imagjinueshëm për Berishën, i cili energjisë konstante të Edi Ramës që është në çdo moment të ditës në video apo në fushatë në terren, s’po arrin t’i mbajë ritmin dhe tensionin e duhur.

Nuk është kjo fushata që opozita kishte planifikuar me Berishën. Partia Demokratike endet prej 12 vitesh në nostalgjinë elektorale të Sali Berishës, si politikani që transformohet në momentin e garës politike. Në fakt ajo që opozita po gjen është një aspekt dobësie që megjithëse i pritshëm dhe logjik, konsiderohej i largët dhe i pamundur për ndjekësit e Doktorit. Të paktën në këto zgjedhje, ku Berisha përsërit vazhdimisht se do të jetë kryeministri i ardhshëm pas 11 majit.

Momenti kur mbahen zgjedhjet aktuale parlamentare përkon me një temë shumë debatuar në vitet e fundit, e cila është ajo e konsumit të elitës politike të postkomunizmit. Dalja e partive te reja në skenë dhe mërzia e elektoratit shqiptar me fytyrat e vjetra të 30 viteve të shkuara ende në skenë, e bëjnë fatale çedimin dhe rëniet apo gafat para kamerave të fushatës. Berishës po i ndodh pikërisht kjo në momentin më të padëshërueshëm. Kishte dashur një fushatë si të Trumpit, por po i del një fushatë si e Bidenit. Problem i madh, tre javë para votës!

The post Donte një fushatë si të Trumpit, po i del një fushatë si e Bidenit first appeared on JavaNews.al.

Maqedoni8 minutes ago

​Aksion i MPB-së në të gjithë vendin: Sanksionohen dhjetëra shoferë që s’dhanë përparësi kalimi!

Shqipëri38 minutes ago

Tensione në Ngushticën e Hormuzit, Garda Revolucionare iraniane ndalon tre cisterna nafte

Lajme2 hours ago

Rasti i 23 intelektualëve të zhdukur të Mitrovicës, Spahiu flet për ngjarjen: Nëse konfirmohen eshtrat, duhet të varrosen aty

Maqedoni3 hours ago

Shpëtohen 2 persona në Liqenin e Ohrit

Shqipëri4 hours ago

La trafikun e drogës për të punuar në ndërtim, shqiptarit i bëjnë atentat ish-shokët e grupit kriminal

Lajme4 hours ago

Bogovinasit, i përgjigjen Feti Abazit: “Yjet e folklorit, fëmijët me prindërit, rinia dhe mërgimtarët, ndriçuan stadiumin, me valle dhe hare”

Lajme5 hours ago

Apasiev sulmon VMRO-në pasi ministri Jeton Shasivari vendosi përdorimin e gjuhës shqipe në Ministrinë e Drejtësisë

Kosovë5 hours ago

Rrustemi: Politika e Albinit po e përmirëson edhe PDK’në, arrestimet e serbëve për kri*me lufte do të vazhdojnë

Lajme5 hours ago

Osmani pas emërimit të Fetait: Krijimi i një kanali paralel në Bruksel e dëmton diplomacinë shtetërore

Kulturë6 hours ago

Albi Qamili dhe Bilall Kasami mirëpresin Korab Shaqirin në komunën e Tetovës, sonte koncert në kuadër të “Verës Tetovare”

Maqedoni6 hours ago

Rrahje në ESM: Një e punësuar ka denoncuar se është sulmuar fizikisht nga kolegia e saj

Bota6 hours ago

Pamje të pazakonta në Gjermani, pema merr flakë pasi bie mbi linjën e tensionit gjatë stuhisë

NA NDIQ NË FACEBOOK