Connect with us

Lajme

Mbështetje teknike që RMV të luftojë kërcënimet hibride/ NATO po rritet edhe me shumë, Finlanda bëhet anëtarja e 31-të

Publikuar

NATO-ja është e gatshme t’i jap mbështetje teknike dhe ta rrisë edhe më shumë bashkëpunimin me Maqedoninë e Veriut në luftën e saj kundër kërcënimeve hibride dhe dezinformatave, u zotua sot sekretari gjeneral i Alaencës Jens Stoltenbeg. I pyetur nga TV21 rreth vizitës të disa javëve më parë të zyrtarëve të NATO-s në Shkup, u shpreh se NATO dhe Qeveria kanë rënë dakord për një sërë hapash afatshkurtër dhe afatgjatë të cilët aleatët mund t’i ndërmarrin për ta mbështetur Maqedoninë e Veriut në mbrojtjen kundër fushatave hibride me të cilat po përballet.

“E kam diskutuar këtë me kryeministrin e Maqedonisë së Veriut së fundmi dhe kuptohet se NATO është aty për të mbështetur aleatët, gjë që tani e bën me Maqedoninë e Veriut e cila po përballet me kërcënime të ndryshme hibride. Mbështetja që aleatët janë të gatshëm ta japin për Maqedoninë e Veriut është mbështetja teknike dhe bashkëpunim më të fuqishëm për të luftuar dezinfomatat. Do të doja të përgëzoj Qeverinë e Maqedonisë së Veriut për punën e shpejtë dhe të detajuar në zhvillimin e programit të bashkëpunimit për të cilin kemi rënë dakord.”- deklaroi Jens Stoltenberg, Sekretar Gjeneral i NATO-s.

Këtë Stoltenberg e tha një ditë para takimit të Ministrave të Jashtëm të vendeve anëtare të NATO-s. E quajti javë historike pasi nesër Finlanda do të bëhet anëtarja e 31-të e Aleancës, kjo pasi Turqia më në fund e ratifikoi protokollin, por të njëjtën gjë nuk po e bën edhe për Suedinë, e cila po ashtu synon anëtarësimin në Aleancë. Pengesë për këtë është edhe Hungaria, por Stoltenberg u shpreh i bindur se do të kenë sukses edhe me anëtarsimin e Suedisë.

“Është ditë historike dhe e madhe për NATO-n dhe për Finlandën të cilën po e mirëpresim si antëtarja e 31 e Aleancës. Kjo në vetëvete është diçka për të cilën duhet të festojmë dhe ta njohim rëndësinë e saj. Kjo po ashtu sepse demonstron se dera e NATO-s mbetet e hapur dhe se çdo komb ka të drejtën e zgjedhjes së rrugës së vet dhe jo Moska të vendosë se kush do të jetë anëtar i NATO-s e kush jo, ky është vendim i vendeve që aplikojnë dhe i NATO-s. Kjo do të demontrohet shumë qartë këtu në selinë e NATO-s nesër, kur ta ngremë falmurin finlandez dhe ta finalizojmë procesin e anëtarësimit. Kjo po ashtu është e mirë për Suedinë, të cilën e bën edhe më të integruar në NATO dhe e bën më të sigurtë.”- pohoi Jens Stoltenberg, Sekretar Gjeneral i NATO-s.

Takimi i Ministrave të Jashtëm të NATO-s po ndodh në një moment të rëndësishëm për sigurinë e Aleancës. Invazoni rus në Ukrainë po ashtu do të jetë në fokus të këtij takimi, gjersa nesër pritet të mbahet Komisioni NATO-Ukrainë që do të ripërsërisë mbështetjen e Aleancës ndaj Kievit. Stoltenberg e përshëndeti planin e Zelenskit për paqe, por tha se nuk ka ndonjë shenjë që Putini po përgatitet për paqe, por për më shumë luftë, andaj mbështetja e NATO-s ndaj Ukrainës nuk do të ndalet, siç ka ndodhur edhe deri më tani, ku janë dhënë rreth 65 miliardë euro ndihmë ushtarake për Ukrainën. Besir Arifi, TV21, Bruksel.

NA NDIQ NË FACEBOOK