Lajme
Brandi, qeni hero i policisë shqiptare

Pas qenve heronj, Allit dhe Satakut, të FSK-së, policia e shtetit shqiptar ka zbuluar edhe Brandin – qeni i cili zbuloi njerëzit që ende frymonin nën gërmadhat që la pas tërmeti i 26 nëntorit në Durrës.
Edhe pse ekipet e specializuara të kërkim-shpëtimit përdoren mjetet e avancuara për të kryer operacionët, qentë kishin një rol më fisnik dhe ndryshe në gjithë këtë, njofton Klan Kosova.
Policia e Shqipërisë na ka prezantuar Brandin.
“‘Brandi’ është heroi me 4 putra i Policisë së Shtetit, të cilin qytetarët e panë përmes ekraneve që transmetonin live nga vendngjarja, ku kërkonte për persona të mbetur nën rrënojat e pallatit 6 katësh në Durrës, goditur nga tërmeti”.
“Pasditen e 26 nëntorit, teksa u ndërprenë punimet me mjetet rënda dhe u fikën mjetet që punonin nën rrënoja, u përgatit dhe u fut në kërkim qeni policor. Pas kërkimit në pjesën perëndimore të banesës, ku nuk pati asnjë shenjë, u kalua në pjesën jugore të objektit. Brandi u fut në një tunel, rreth 4-5 metra, i krijuar nga rrëzimi i objektit. Në këtë vend ka ardhur reagimi i qenit, i cili dha shenjë për praninë e njerëzve nën rrënoja, rreth 2 metra në thellësi”.
Ky nuk ishte misioni i parë i Brandit, pasi ai është përdorur për kërkimin e njerëzve të gjallë nën rrënoja edhe në shërbime të tjera më herët në Shkodër e Tiranë.

























