Connect with us

Lajme

Studenti kosovar që diplomoi me notën më të lartë në Oxford flet për Periskopin, tregon rrugëtimin e tij drejt suksesit

Publikuar

Për dikë është ëndërr e e dikush e përmbushi atë pas shumë vështirësive. Fjala është për Besfort Shalën, studentin kosovar nga Prishtina, i cili e kreu magjistraturën në matematikë me notën më të lartë në Universitetin e njohur botëror ‘Oxford’, shkruan Periskopi.

Shala në një intervistë për Periskopin tregon vështirësitë që nga fillimi e deri tek finalizimi i ëndrrës që kishte si një i ri nga Kosova.

Ai tregon se para se t’i fillonte studimet në ‘Oxford’, ka kërkuar ndihmë financiare që ëndrra e tij të përmbushej.

“Pjesa më e vështirë ka qenë sigurimi i mjeteve financiare të mjaftueshme. Nuk ka qenë e lehtë që të vendosim me familjen të kërkojmë ndihmë, aq më tepër kur ka njerëz me arsye tejet më të forta për t’i ndihmuar. Unë kam qenë më hezituesi që kjo të ndodhë, por pas shtyrjes nga familja si dhe nga profesorë të ndryshëm nga fakulteti ku kam qenë duke përfunduar studimet bazike, kemi ardhur në përfundim se mundësia e studimit në Oxford nuk duhet të humbet. Ndihma që kemi pranuar nga njerëzit e vullnetit të mirë ka qenë e jashtëzakonshme dhe unë jam tejet falënderues ndaj secilit”, tha ai.

Shala shton se përveç ndihmës së shoqërisë, ai ka pasur përkrahje edhe nga Qeveria e ministria e Arsimit, Shkencës e Teknologjisë.

“Po, mbështetja e institucioneve të Kosovës ka qenë shumë e madhe, edhe pse burokracia ndonjëherë ka ngadalësuar procesin e përgjigjeve. Megjithatë, kam pranuar ndihmë financiare nga Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Informacionit, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit përmes sponzorizimit nga kompania EXFIS, si dhe nga Presidenca e Kosovës. Jam shumë falënderues ndaj të gjithëve!”, shtoi Shala.

Por, 22 vjeçari nga Kosova nuk e lë me kaq. Ai thotë se do filloi edhe studimet doktorale në Universitetin e Bristolit në Angli, ku edhe do të punësohet si asistent, duke shtuar se do vazhdojë të jap kontribut edhe në Kosovë.

“Në vitin e ardhshëm akademik 2022/23, do t’i filloj studimet doktorale në matematikë në Universitetin e Bristolit në Angli, ku edhe do të punësohem si asistent (përkatësisht angl. teaching assistant). Megjithatë, do të vazhdoj të jap kontributin tim modest në Kosovë përmes punës vullnetare në kuadër të Shoqatës së Matematikanëve të Kosovës, në organizimin e trajnimeve dhe garave më të rëndësishme të matematikës në Kosovë”,u shpreh ai për Periskopin.

E, për fund ai dha edhe një mesazh për të rinjtë e Kosovës.

“Mesazhi im për të rinjtë do të ishte që të mësojnë dhe punojnë sa më shumë në mënyrë që ta kultivojnë pasionin e tyre. Edhe pse të ikësh nga formalitetet plotësisht është e pamundur, puna e frymëzuar nga pasioni vlerësohet shumë më shumë sesa çfarëdo aktiviteti artificial që synim e ka pranimin në një universitet jashtë vendit. Pra, studimi jashtë vendit duhet të jetë pasojë dhe jo qëllim në vetvete”, përfundoi ai./Iliriana Xhylani-PERISKOPI

NA NDIQ NË FACEBOOK