Connect with us

Lajme

Basha: Foltorja e Berishës e mbushur me faktorë të krimit të organizuar që kanë punuar për Ramën

Publikuar

Kryetari i PD-së Lulzim Basha ka lëshuar akuza ndaj ish-kryeministri Sali Berisha për lidhje me krimin e organizuar.

Në një intervistë për “Ora News”, Basha e akuzon Berishën se pjesëtarë të krimit të organizuar kanë punuar për mbledhjen e firmave për llogari të Berishës.

Duke folur për “Foltoren”, Basha tha se aty shkojnë edhe “njerëz që nuk përfaqësojnë demokratët, por përfaqësojnë më të keqen e kësaj partie, përfitues gjatë viteve të qeverisjes. Të bërë milionerë dhe multimilionerë paligjshmërisht duke shkelur mbi sakrificat e demokratëve”.

“Ndërsa në procesin e të ashtuquajtur të mbledhjes së firmave tashmë në mënyrë të dokumentuar dhe të pakundërshtueshme PD ka evidentuar faktorë të krimit të organizuar që në zgjedhjet e 25 Prillit, në masakrën zgjedhore të 25 Prillit kanë qenë rreshtuar në krah të Edi Ramës”, shtoi ai.

Ai paralajmëroi përjashtimin e Berishës nëse sjellja e tij politike vijon të jetë e njëjtë dhe sipas Bashës, dëmton interesat e PD-së.

Qartë shkurt e prerë. Nuk ka asnjë shans që ata një pjesë e të cilëve kemi nxjerrë nga zyrat e shtetit dhe do i nxjerrim bashkë me Edi Ramën të vijnë e të uzurpojnë PD-në. Nuk ka shans të ndodhë. 18 dhjetori është dita e bashkimit të PD-së. Është dita e dhënies fund të tollovisë për interesa personale të Sali Berishës. Dita e përgjigjes së merituar për Aqif Rakipët, Tom Doshët, Suel Çelët që mendojnë se u erdhi dita se pasi kanë kapur Edi Ramën e PS-së të kapin dhe PD-në”, u shpreh Basha.

Duket si propagandë?

“Propagandë është ajo që bën Sali Berisha që nga njëra anë shpik marrëveshje të paqenë midis meje e Edi Ramës. E nga ana tjetër flet si Edi Rama edhe kur më sulmon mua edhe kur refuzon vetingun politik që e ndan shapin nga sheqeri  edhe në PD edhe në PS”, u përgjigj kryetari i PD-së.

Pasi i quajti pjesë të “trekëndëshit të Bermudës” së tranzicionit shqiptar, Lulzim Basha tha se Meta, Rama e Berisha janë “karusel” që bashkë kërkojnë të ruajnë statuskuonë për interesa personale.

NA NDIQ NË FACEBOOK