Connect with us

Religjion

A po kërkoni lumturinë dhe shpëtimin? Ja mënyra…

Publikuar

Falënderimi i takon Allahut të Lartësuar, Zotit të të gjitha botëve. Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi pejgamberin Muhamed (savs), mbi familjen e tij të nderuar, mbi sahabët dhe të gjithë pasuesit e tij.

Vëllezër besimtarë!

Tema e hutbes së sotme është:‘A po kërkoni lumturinë dhe shpëtimin? Ja mënyra…‘

Dijetari i famshëm Imam Shibliu(r.h.), ka thënë. “I kam dëgjuar dhe i kam mësuar 4.000 (katër mijë) hadithe të Pejgamberit (savs), por unë jam ndalur vetëm në një, duke besuar se nëse do ta zbatoja atë në jetën time, do të gjëja lumturi në këtë botë dhe shpëtim në botën tjetër.”Hadithi është ky:“Puno për këtë botë –  për sa kohë që qëndron në të, puno për botën tjetër- për aq kohë sa do të qëndron atje, puno për Allahun – aq sa ke nevojë për të, dhe, puno për zjarrin – aq sa mund të durosh.”(Muslim)

Nëse i kuptojmë dhe ndjekim mesazhet e këtij hadithi, do ta gjejmë lumturinë në këtë botë dhe shpëtimin në botën tjetër. Padyshim, çdo musliman, madje mund të themi çdo njeri, dëshiron lumturi dhe shpëtim. Nuk është e pamundur që të arrihen të dyja. Krijuesi nuk na ka lënë neve pa udhëzues. Ai, të gjithë popujve, dhe të gjithë njerëzve, ju ka dërguar edhe pejgamberë edhe Shpallje. Nga Shpallja dhe nga praktika e pejgamberëve ne mund t’i dallojmë qartë, hapat që duhet t’i ndërmarrim për të jetuar në dynja të lumtur, dhe në ahiret në bollëkun e gëzimeve të xhenetit.

Nga këto burime të fesë tonë mësojmë, se kush është miku ynë i vërtetë që na bën të lumtur këtu, dhe në të njëjtën kohë na çon drejt shpëtimit. Ka vetëm një mik, i cili këtë e bën vazhdimisht, vazhdimisht na siguron lumturi, dhe i cili do të jetë shoku ynë, edhe kur të gjithë të tjerët, do të na braktisin. Kjo është vepra e mirë. Vepra e mirë e bën njeriun të lumtur, të kënaqur dhe të gëzuar. Ajo është shpërblim në vetvete, për shkak të lumturisë që na vendos në gjoksin tonë, kurse shpërblimi i vërtetë për të, do të vijë më vonë.

Pejgamberi (savs), thotë:“Tri gjëra njeriun e shoqërojnë deri te varri; pasuria, familja dhe veprat. Dy kthehen në shtëpi nga varri. Ato janë familja dhe pasuria, kurse vetëm veprat mbeten me të në varr.” (Tirmidhiu)Ja pra, për këtë arsye, nuk ka shok më të mirë se sa vepra e mirë, në rrugën e lumturisë, dhe bashkudhëtar më të mirë për në shtëpinë e shpëtimit.

Allahu i Plotfuqishëm na ka dërguar Pejgamberin dhe Shpalljen për hir të lumturisë dhe shpëtimit tonë. Prej tyre ne mësojmë se si ta kuptojmë anën materiale, si ta kuptojmë dynjanë pa të cilën nuk mundemi. “Puno për këtë botë – për sa kohë që qëndron në të..”Dhe ai qëndrim është i shkurtër, shumë i shkurtër në krahasim me përjetësinë, prandaj le ta mbajmë mend mirë se Allahu i Plotfuqishëm, thotë:“Ajo që është te ju – është e përkohshme, e ajo që është te Allahu – është e përhershme…” (en-Nahl, 96)

Pastaj thotë: “Puno për botën tjetër- për aq kohë sa do të qëndron atje..” Dhe atje do të jemi përgjithmonë. Prandaj, dëgjoni me kujdes këtë hadith, i cili na përshkruan saktë, na paralajmëron dhe na udhëzon se çfarë duhet të bëjmë. Pejgamberi (savs) thotë: “Njeriu flet, pasuria ime, pasuria ime, e dëshiron atë, e fiton duke bërë mëkat, por harron se e tij është vetëm ajo që e ha – dhe kalon përmes tij, ajo që e vesh – dhe e vjetron, si dhe ajo që e ndan – dhe kështu e bën të përjetshme.” (Muslim) Njeriu nuk është i lumtur nëse është i uritur, e nuk është i lumtur as kur është i veshur dobët, por më me rëndësi është për të, që të jetë i shpëtuar, por as atë nuk e fiton nëse dashurohet me dynjanë, dhe nëse e neglizhon përpjekjen për shpëtim.

Njerëzit, e dëshirojnë famën, kështu na ka krijuar Allahu, dëshirojnë edhe të jenë të pashëm dhe të njohur. Ajo, që Allahu nae ka dërguar si rrugë të lumturisë dhe shpëtimit,e që është Shpallja dhe Pejgamberi (savs), na tregon, se ajo që këtu (në dynja) është famë, tek Allahu i Plotfuqishëm, nuk është. Pejgamberi (savs), ka thënë:“O Ebu Dherr! Me të vërtet, pushteti është emanet (një gjë e besuar), kurse në Ditën e Gjykimit do të paraqesë poshtërim dhe pendim. Përveç atij, që e merr atë me drejtësi, dhe e kryen atë që është i obliguar për ta kryer! Prandaj, si do të jetë ajo, o Ebu Dherr?”(Nesaiu)

Allahu i Plotfuqishëm na tregon qartë se tek Ai, më i nderuari është ai që më shumë i frikësohet Atij, dhe ai është,i cili më pak bën mëkate. Sa duhet të punohet për zjarr? Aq sa mund ta duroni, dhe mos të harrojmë se Pejgamberi (savs),na paralajmëron se zjarri i kësaj bote është sa e shtatëdhjeta pjesë e zjarrit të xhehenemit.

Sikur që ekziston, vetëm një mik i vërtet për ne, e që është vepra e mirë, po ashtu ne të gjithë, e kemi vetëm një armik të vërtetë e të palodhshëm. Këtë na e mëson Allahu i Plotfuqishëm, në Kuran:“Me të vërtetë, shejtani është armik i hapët i njeriut.”(el-Isra, 53) “Me të vërtetë, shejtani është armik për ju, andaj merreni atë për armik…” (Fatir 6).

Çka dëshiron shejtani? Ai,me të gjitha forcat, dëshiron të na fusë në Zjarr. Ai është shkaktari i zilisë sonë, i urrejtjes sonë, ai na bind neve që të bëjmë përgojime, ta përmbysim njëri-tjetrin, ai na bind neve që të bëhemi të papërgjegjshëm, të gënjejmë, të mashtrojmë, të vjedhim, të…Prandaj, aq sa mund të duroni zjarrin, aq shumë dorëzohuni shejtanit.

Ne me siguri kemi lexuar dhe kemi dëgjuar shumë hadithe. Nuk është sot hera e parë që e dëgjojmë hadithin:“Puno për këtë botë – për sa kohë që qëndron në të, puno për botën tjetër – për aq kohë sa do të qëndron atje, puno për Allahun – aq sa ke nevojë për të, dhe puno për zjarrin – aq sa mund të durosh.”Por ndoshta është hera e parë që, duke dëshiruar lumturi dhe shpëtim, për këtë hadith të mendojmë seriozisht.

Vëllezër të dashur!

I lutemi Allahut të Mëshirshëm dhe të Plotfuqishëm, që të na jepë lumturinë e kësaj bote dhe shpëtimin e botës tjetër!

– që të na ruajë nga sprovat e mëdha në fe, në familje dhe në pasuri!

– që ta largojë nga zemrat tona urrejtjen dhe zilinë ndaj njerëzve të tjerë;

– që mos të na mposhtë neve frika dhe pashpresa;

– që të na japë forcën për tu bërë mirë njerëzve;

– që të na i pranojë veprat tona të mira dhe të na i mbulojë turpet tona;

– që ta çlirojë njerëzimin nga sprovat e sëmundjeve të këqija dhe të na jepë forcën për të vazhduar në luftën kundër tyre!

Le të strehohemi tek mëshira e Allahut dhe, le të kërkojmë strehim tek Ai nga çdo e keqe.

Unë e them këtë dhe kërkoj falje nga Allahu i Gjithëmëshirshëm për veten time, për ju dhe për të gjithë muslimanët e botës.(Amin!)

Hatib: Izetef. Çamxhiq

Përshtati: Miftar Ajdini

(Islampress)

NA NDIQ NË FACEBOOK