Connect with us

Sport

Shkëndija prek titullin, shkon në +13 pikë nga Shkupi!

Publikuar

Shkëndija e Tetovës vendos njërën dorë te titulli i 4-t kampion në historinë e klubit dhe tashmë është vetëm çështje matematikore për të zyrtarizuar gjithçka. Kuqezinjtë tetovarë e thelluan në 13 pikë avantazhin ndaj Shkupit të vendit të dytë dhe 6-javë para fundit do t’u mjaftojnë vetëm 5 pikë për të fituar matematikisht titullin në këtë sezon. Në sfidën e javës së 27-të skuadra e Ernest Gjokës iu fal një goli të sulmuesit kryesor Besart Ibraimi në minutën e 53-të për të marrë maksimumin në një ndeshje jo të lehtë përballë ekipit nga Strumica që luajti për gati 40 minuta me gjithë shtesat me një lojtar më pak pas daljes me karton të kuq të Serafimov në minutën e 54-t.

Për Ibraimin ky ishte goli i 19-të sezonal me sulmuesin e Shkëndijës që kryeson listën e golashënuesve në ligën e parë të Maqedonisë së Veriut. Shkupi ndërkohë pësoi një tjetër humbje shokuese këtë herë nga Belasica e vendit të fundit me rezultatin 0-1. Përsa i përket dy skuadrave të tjera shqiptare që luajnë në elitë, Struga Trim Lum barazoi 1-1 në shtëpi me Rabotnickin ndërkohë që Renova ndali Vardarin në një barazim 1-1 në transfertë duke rritur shpresat për mbijetesë dhe duke lënë skuadrën kryeqytetase në zonën e rrezikut për të rënë nga kategoria.

NA NDIQ NË FACEBOOK