OP / ED
Të meditojmë, të reflektojmë

Shkruan: Belkis Latifi
Sukses do të thotë: Lodhje, sakrificë, mosdorëzim, luftë ndaj egos, punë, përkushtim, gadishmëri dhe vazhdueshmëri.
Allahu Fuqiplotë në Kur’an në suren Inshirah, ajetet pesë dhe gjashtë thotë: “ E, pa dyshim se pas vështirësisë është lehtësimi. Vërtet, pas vështirësisë vjen lehtësimi.”
Nëna që të lind, duhet të presë, të kalojë mundime të njëpasnjëshme përgjatë nëntë muajve, shtoja kësaj pjesën e fundit të dhimbjeve të mëdha e cila dhimbje është ekuivalente me thyerjen e dhjetëra kockave të trupit përnjëherë. Gjitha këto dhimbje, ajo i harron dhe i tejkalon që në momentin e parë kur pranë trupit të saj sheh fëmiun e posalindur.
Që një futbollist të jetë në gjendje që t’a dëshmojë veten brenda nëntëdhjetë minutave, kërkohet nga ai që të jep mundin shumë herë më parë nga nëntëdhjetë minuta gjatë javës dhe muajit. Vrapuesi që t’a fitojë garën në vrapim, para saj ai duhet që shumë herë të vrapojë. Studenti që t’a kalojë provimin me sukses, para asaj dite duhet që t’a shoqërojnë librat.
Punëtori e merr pagën e tij, pas një pune permanente përgjatë gjithë muajit. Fundja: Nuk do të ishte hëna kaq e bukur, poqese atë s’do ta rrethonin yjet. Për të arritur deri tek lehtësimi duheshka të kalosh vështirësinë, sikurse për të ardhur deri tek suksesi duhet të kalosh lodhjen, raskapitjen, vështirësitë dhe peripecitë e vazhdueshme të cilat të shoqërojnë përgjatë këtij rrugëtimi. Nuk ka sukses pa lodhje dhe raskapitje. Nuk e ka shijuar askush lehtësimin, para se t’a tejkalojë vështirësinë, sikurse nuk e ka arritur ndokush agimin, para se t’a përcjellë errësira e natës.
Optimizmi që duhet të na përcjellë në rrugëtimet tona është pikërisht fakti dhe lidhshmëria që duhet t’a bëjmë me ajetin e lartëpërmendur dhe t’a inkurajojmë veten me fjalët: “Duro dhe bëhu shpirt luftarak, kjo ngaqë pas vështirësisë momentale me të cilën përballem, do të vijë lehtësimi, madje lehtësim i dyfishtë, kjo pasi që Zoti Fuqiplotë e përmendi rishtazi dy herë lehtësimin dhe kjo është porosia dhe mesazhi më i ëmbël që nxjerrim nga këto dy ajete.




















