Kosovë
Fushata presidenciale në SHBA, Trump e Biden në kërkim të votave në disa nga shtetet vendimtare

Vetëm dy javë para zgjedhje presidenciale në SHBA presidenti Donald Trump dhe rivali i tij Joe Biden janë duke kërkuar votën në shtetet të cilësuara vendimtare për zgjedhjet e 3 nëntorit.
Trump u ndal në Nevada ku nuk është votuar për një president republikan që nga viti 2004. Ndërsa demokrati Joe Biden zhvilloi fushatë në Karolinën e Veriut, ku një asnjë kandidat demokrat nuk ka fituar që nga zgjedhja e Obamës në vitin 2008.
“Njerëz, dua të them kjo është koha për të rigjallëruar shpirtin e Amerikës. Është koha të rindërtojmë shtyllën e Amerikës, shtresën e mesme. Dhe kjo kohë i bashkon të gjithë. Nuk ka rëndësi raca, mosha, feja, gjinia apo prejardhja. Të gjithë mund t’ja dalim”, ka thënë Biden, kandidati demokrat për president në SHBA.
“Nëse votoni për Biden ai do të dorëzojë punët tuaja në Kinë, do t’i dorëzojë të ardhmen tuaj virusit, ai do të mbyllë vendin, dëshiron të bllokojë. Do të dëgjojë shkencëtarët – Nëse unë do të dëgjoja plotësisht shkencëtarët, tani do të kishim një vend që do të kishte rënë në depresion masiv”, është shprehur presidenti amerikan Donald Trump.
Presidenti Trump ka në shënjestër disa shtete që i fitoi në vitin 2016 dhe ku nuk do të mund të pranojë një humbje. 74-vjeçarit i duhet të sigurojë 270 votat e kolegjit elektoral për të qëndruar për një mandat të dytë në krye në Shtëpinë e Bardhë.
Por sipas sondazheve ai që është në epërsi me pak pikë përqindje është rivali demokrat Joe Biden. Në 22 tetor pritet të zhvillohet ne Nashville debati i fundit presidencial.






















