Kosovë
Lajqi: Fëmijët kanë përjetu traumë kur e kanë pa se si policët shtrijnë dhunshëm prindin e tyre

Periskopi mbrëmë ka publikuar videon në të cilën shihen katër zyrtarë policorë duke arrestuar një person për shkak të mos mbajtes së maskës. E kjo zgjoi reagime nga i gjithë oponioni në Kosovë.
Arrestimi në formë të dhunshme në prani të dy fëmijëve cilësohet skandal dhe madje e papranueshme që një gjest i tillë të bëhet nga mbrojtësit e rendit dhe ligjit.
Naser Lajqi, menaxher i programit në fushën e mbrojtjes së fëmijëve në OJQ Syri i Vizionit, në deklaratë për Periskopin thotë se një veprim i tillë nga zyrtarët policor nuk do duhej të bëhej në prani të fëmijëve. Sipas Lajqit, kjo ka shkaktuar traumë tek fëmijët që e kanë pa një skenë dhune.
‘’ Pavarësisht veprimeve që mund të ketë bërë prindi në praninë e fëmijëve nuk ishte dashtë të bëhen veprime të tilla, sepse kjo është një dhunë emocionale e psikologjike dhe një traumë që fëmijët kanë përjetu kur kanë pa se si policët shtrijnë dhunshëm prindin e tyre. Ka pasur forma dhe mundësi që nëse patjetër duhej të arrestohej prindi, me përdor metoda pa e pa dhe kuptu femijët’’, tha Lajqi.

Tutje, Lajqi shton se veprimi i paarsyeshëm i katër zyrtarëve të Policisë së Kosovës, dëshmon se policët kanë nevojë për trajnime profesionale se si duhet vepruar në rastet kur ka fëmijë të pranishëm.
‘’Kjo tregon që policia kanë nevojë për trajnime profesionale se si duhet sjell në raste kur duhet intervenu e aty ka fëmijë, gjithëherë duhet ruajtur interesin më të lart të fëmijës, këtë e garanton edhe ligji për mbrojtjen e fëmijës’’, përfundon Lajqi.
Ndërsa kujtojmë se pas arrestimit, personi me iniciale B.S është dërguar në mbajtje për 48 orë, ndërsa sot është liruar.
Lajmin për Periskopin e ka konfirmuar avoktati i tij, Fanol Krasniqi i cili ka bërë të ditur se rasti ndaj të dyshuarit vazhdon në procedurë të rregullt.
“Po tani e ka marrë fletlëshimin. Ai ka qenë i ndaluar për 48 orë. Klienti im akuzohet për kanosje të zyrtarëve policor dhe mosbindje ndaj urdhërave. Tani jemi duke pritur hetimet nga Inspektorati i Policisë”, ka thënë ai për Periskopin.
Zëdhënësi i Policisë, Daut Hoxha e konfirmoi atë që mbrëmë Periskopi raportoi se i dyshuari është ndaluar për shkak të mos mbajtjes së maskës.



















