Lajme
Kush po përfaqëson BDI-në e Tetovës?

Dega e BDI-së në Tetovë ka shprehur indinjatën e tyre deri tek kryetari i partisë, Ali Ahmeti lidhur me kuadrot e zgjedhura për ministra nga dega e Tetovës.
Sipas tyre, të gjithë kuadrot që shtiren se përfaqësojnë degën e Tetovës, në fakt nuk i takojnë kësaj dege. Në pakënaqësitë e tyre theksohen emrat si ai i Ministrit për Financa, Fatmir Besimi i cili në emër të degës së Tetovës është emëruar ministër por që me vite jeton në Shkup dhe me tepër i takon degëve të Shkupit. Për më tepër, Besimi në dy mandatet e fundit të BDI-së, nuk është angazhuar as në zgjedhje lokale dhe as Parlamentare. Pakënaqësitë i shton edhe më tepër kandidatura e vëllait tij, Florin Besimi i cili dha dorëheqje nga pozita e deputetit pas dyshimeve të Komisionit kundër korrupsionit se ai nuk mund të votojë për ministër një familjarin e tij. Për t’i mos mjaftuar pozita e deputetit, Besimi është edhe drejtor i Spitalit të Qytetit në Tetovë, pozitë të cilën e ka betonuar me vite. Të gjitha këto të mira për familjen Besimi e cila jeton në Vodno të Shkupit, vijnë gjatë kohës kur me degën e BDI-së në Tetovë udhëheqë Florin Besimi.
“Një familje nuk mund ta përfaqësojë një qytet, aq më tepër kur kjo familje me vite të tëra nuk jeton në Tetovë dhe nuk i din problemet reale të qytetarëve”, thuhet në reagimin e tyre.
Indinjata është shprehur edhe ndaj ministrit të Ekologjisë, Naser Nuredini i cili vetëm dy vite më parë ka ardhur në Maqedoni dhe asnjëherë nuk ka qenë i angazhuar politikisht në BDI. Nuredini madje nuk ka qenë kurrë as anëtarë i Bashkimit Demokratik për Integrim. Ata shtojnë se Nuredini nuk ishte në krah të Tetovarëve as kur Jugohromi mbyste çdo ditë qytetarët e Pollogut, ndërsa mbyllja e kombinatit ishte në duart e tij dhe të Qeverisë.
Reagimet e degës së Tetovës vijnë pak ditë pas reagimeve të ashpra që u krijuan në degët e Çairit dhe Sarajit kundër emërimit të Artan Grubit dhe Bujar Osmanit për ministra në Qeverinë e re. Të pakënaqur ishin edhe dega e Kumanovës dhe Likovës, ndërsa Gostivari, Dibra, Kërcova dhe Struga pritet të dalin me qëndrime konkrete ditëve në vijim, derisa aktualitet janë ndarja e pozitave të eshalonit të dytë dhe të tretë./Shigjeta.tv




















