Connect with us

Lajme

Për siguri më të madhe për motoçiklistët, të rritet ndërgjegjja te të gjithë pjesëmarrësit në komunikacion

Publikuar

Këshilli Republikan për Siguri në Komunikacion Rrugor, MPB, Federata e Motoçiklistëve dhe Kryqi i Kuq-Shkup organizuan një paradë me motorë dhe stërvitje simuluese të një aksidenti trafiku me një motoçiklist të lënduar. Kjo ngjarje u realizua si pjesë e “fushatës verore 2020″ e cila synon ta rrisë vetëdijen për siguri më të madhe të motoçiklistëve në komunikacion, veçanërisht në verë kur rritet frekuenca e trafikut rrugor dhe natyrisht edhe aktiviteti i motoçiklistëve në komunikacion.

“U bëj apel të gjithë vozitësve që janë pjesëmarrës në komunikacion çdo ditë, të kenë kujdes për kategoritë më të rrezikuara – motoçiklistët, t’i shohin si pjesëmarrës të barabartë në këtë situatë. Njëra nga karakteristikat negative të motoçiklistëve është që duan ta tregojnë veten në komunikacion, të vozisin me shpejtësi më të madhe dhe pikërisht në situata të këtilla ndodhin gjëra të padëshiruara”, tha Gordana Kozhuvarovska nga KRSKR.

“Shumë shpesh ndodh që motoçiklisti të mos shihet aspak si faktor në komunikacion dhe ky është një moment psikologjik, sepse më së shpeshti pas një aksidenti, në 95% e rasteve përgjigja e vozitësve të automjeteve është se nuk e ka parë motoçiklistin. U bëj thirrje të gjithë motoçiklistëve, sidomos atyre që kanë më shumë adrenalinë, ta mos bëjnë këtë në rrugë, por në vende ku ka korsi për vozitje të shpejtë, kurse në qytet t’i respektojnë të gjithë pjesëmarrësit në komunikacion”, u shpreh Lenin Jovanovski nga Federata e Motoçiklistëve.

.