Religjion
Edukimi medial në dritën e epistemologjisë islame

Fitra, vajhi (shpallja), ixhmaja, ixhtihadi, kiasi dhe talfiku përballë agresionit të sotëm medial. Ku është rrugëdalja?
Milazim KRASNIQI
Agresiviteti i medieve, të cilat tashmë janë pothuajse
të kudondodhura, ka filluar të shkaktojë ngopje të njeriut me informata e prej
këndej edhe dëshpërim dhe pafuqi. Jo vetëm për tema që vetvetiu janë
traumatike, si; është sot pandemia, po edhe për temat më triviale.
I ekspozuar informatave për ngjarje nga më të çuditshmet,
nga më bizaret, nga me heroiket, nga më provokativet, individi ka filluar të
ndihet i dëshpëruar në një botë që i duket se është e pavlera, kaotike, madje
edhe e dhunshme dhe e pashpirt. Ky njeri i zënë në grepin medies, nuk arrin të kuptojë saktë pse
ndodhin gjithë ato ngjarje, pse informohet për to në mënyrë aq sensacionale,
fragmentare, tendencioze dhe shumë herë pa etikë minimale. Nuk arrin të bindë
veten se ato informata nuk kanë të bëjnë me të dhe me jetën e tij. Bile ka që
kujtojnë se edhe jeta e tij varet prej atyre informatave! Prandaj dëshpërimi
rritet në drejtim të të ndierit jo vetëm i pafuqishëm e i dëshpëruar, po edhe i
rrezikuar. Ky është simptom i paranojës, i cili pastaj ia sforcon ndjenjën se është
edhe i parëndësishëm në këtë botë.
Natyra
e pastër (fitra) nuk mund të ndryshohet, por mund të dëmtohet
Duke u ndjerë i dëshpëruar, i pafuqishëm dhe i
parëndësishëm, njeriu dorëzohet para agresionit të medies, fillon ta konsumojë
në mënyrë jokritike, bile edhe në mënyrë joetike, duke mos çarë kokën që ta
dallojë të vërtetën nga e pavërteta, ose të drejtën nga e shtrembëta. Pra, bëhet
viktimë, ngatërrohet keqas në rrjetin e saj.
Kontigjentet e këtilla të lexuesve/konsumuese
të produkteve mediale, janë në rritje në gjithë botën. Këto kontingjente tashmë
janë të varur nga loja e medieve, siç është i varur një narkoman nga tutori i
tij, i cili e furnizon me doza droge në mënyrë periodike, por duke e mbajtur
vazhdimisht në pasiguri dhe në presion. Mund të thuhet edhe se ky “homo
medialis” sot për sot është i varur nga informatat që ia servojnë mediet, siç
varen konsumatorët e metropoleve nga produktet e gatshme në markete, për të cilat
mund të mos kenë ide se si e ku e nga kush janë prodhuar. Bile ata që janë më të
trullosur, as afatin e skadencës nuk ua shikojnë produkteve, veçse i marrin
ashtu si janë, natyrisht me me rrezikun real që të helmohen prej tyre. Një
shumicë e produkteve mediale afatin e skadencës e kanë vetvetiu të kaluar, sepse
ato vetëm përsëriten në variacione të ndryshme, ose vetëm raportohen si gjoja
ngjarje, pa e pasur fare rëndësinë e ngjarjes. Është një lojë cic mic e medieve
me lexuesin e hutuar, është një manipulim me paaftësinë e homo medialisit (ose
digjitalisit), për ta kuptuar hilenë.
Kur të hartohet historia e këtij
lexuesi/publiku, mund të zbulohen shumë deformime që kanë ndodhur tashmë në
psikikën dhe në shpirtin e tij. Xhovani Sartori ka prognozuar në mënyrë
pesimiste se nën ndikimin e medies, mund të ketë edhe ndryshime gjenetike në
njeriun. Nuk besoj se mund të ketë ndryshime gjenetike, jo vetëm nga shkaku i
medies, po as shkaku i ndonjë faktori tjetër social a kulturor. Bindja ime e
plotë është se natyra e pastër njerëzore, (fitra) ashtu si është e krijuar, është
rezistente ndaj të gjitha formave të agresioneve dhe presioneve, që i bëhen nga
veprimtaria njerëzore, duke përfshirë këtu edhe veprimtarinë agresive e terrorizuese
mediale. Natyra e pastër e njeriut, e programuar për një krijesë që është e
mandatar si mëkëmbëse e Zotit në Tokë, nuk mund të sfidohet nga aktiviteti i veprave
të njeriut, sepse në atë rast do të sfidohej vepra e Krijuesit. Do të krijohej hamendja
se mos ajo natyrë e pastër e njeriut është e krijuar me ndonjë defekt. Ndërsa,
e vërteta është se ajo natyrë është e krijuar pa asnjë të metë dhe është
programuar që të jetë e aftë ta realizojë mandatin e mëkëmbësit të Zotit në Tokë.
Pra, natyrshmëria në të cilën njeriu është i krijuar (fitra), mbetet e
pacenuar, deri në fundin e kësaj bote, përveç nëse Krijuesi vendos ndryshe.
Gjykimi
kritik për lajmet, para se të përhapen, është obligim
Për të mbetur e pacenuar, për të mbetur plotësisht
e pastër, natyra njerëzore ka nevojë që të furnizohet me përmbajtjen esenciale,
për hir të së cilës është krijuar ashtu e përsosur. Pra, natyra njerëzore ka nevojë për shpalljen
(vajhin.) Nëse, natyra e pastër e njeriut furnizohet me shpalljen, shpallja e bën
fitrën dëshmuese, e fuqizon njohjen e realitetit dhe të asaj që është
paralajmëruar me anën e shpalljeve. Duke e pasur aftësinë e njohjes së
realitetit të programuar dhe aktive, fitra me anën e shpalljes, fiton fuqi që të përballojë çdo
lloj provokimi që i bëhet nga projektet që kanë autorësi të njeriut, po edhe
nga provokimet e djallit, armikut të përhershëm të njeriut. Pra, nëse njeriu i
ka në mendje e në zemër udhëzimet, urdhrat, mesazhet, aksiomat e Shpalljeve
Hyjnore, ai është i aftë të dallojë të vërtetën nga e pavërteta, të mirën nga e
keqja, të drejtën nga e shtrembëta. Ato mësime nga Shpalljet shndërrohen në
mendjen dhe në zemrën e tij, si diga që pengojnë infiltrimin ose kontrabandimin
e përmbajtjeve të dyshimta, neveritëse, të shëmtuara. Fjala vjen, mjafton që
lexuesi ta mbajë në mend ajetin 6 të shures El Huxhurat, që ta ketë të qartë se
nuk duhet të pranojë e as të bartë informata pa i verifikuar:
“O ju që keni besuar, nëse ndonjë i pandërgjegjshëm
u sjellë ndonjë lajm, ju shqyrtojeni mirë, ashtu që të mos e goditni ndonjë popull pa e ditur realitetin, e pastaj
të pendoheni për atë që keni bërë.”
Pra, kërkohet që besimtarët të jenë të
aftësuar që të shqyrtojnë në mënyrë kritike përmbajtjen e lajmeve e
rrjedhimisht të mos veprojnë me lajme të rreme dhe të mos i përhapin ato. Nëse
i përmbahemi këtij urdhëri, minimalisht do të dimë të mbrohemi nga lajmet e
rreme dhe të mos i përhapim ato. Natyrisht, ka edhe shumë këshilla e urdhëresa
të tjera hyjnore, që i referohen mënyrës së komunikimit, të kumtimit e të
sjelljes së mirë, të cilat e ndriçojnë me mësime të duhura natyrën tonë njerëzore
dhe na ndihmojnë ta realizojmë ashtu si kërkohet prej nesh nga Zoti, misionin
si njerëz në këtë jetë.
Sa mund
të ndihmojnë ixhmaja dhe ixhtihadi, pse nuk ndihmon kiasi?
Meqë raportet ndërmjet njerëzve janë të përditshme,
komplekse dhe vazhdimisht me oscilime e me probleme që shfaqen edhe papritmas, ato
raporte kërkojnë që krahas mbajtjes së tyre në kornizën e fitras, të vlerësimit
me anën e shpalljeve, të analizohen e të vlerësohen edhe me mënyra konkrete të mendimit
e të vlerësimit. Kësodore, për vlerësimin e informatave dhe aspekteve të tjera
të raporteve të ndryshme njerëzore e shoqërore, duhet të përdoret ixhmaja, pra,
diskutimi nga ana e njerëzve kompetentë. Nëpërmjet diskutimeve dhe analizave, informatat
dhe faktet analizohen dhe vlerësohen në mënyrë kritike. Meqë në këtë proces
marrin pjesë më shumë njerëz, ixhmanë kjo rrethanë e bën prodhuese të diversitetit
dhe të pluralizmit të mendimeve. Nëse ka komunikim, konsultime, polemika e dialog, mundësia e vlerësimit
të informatave dhe të ngjarjeve është shumë më e madhe, se sa në rast se njeriu
bën monolog. Kjo do të thotë se njëra nga mundësitë e vlerësimit të informatave
ose saktësisë së tyre është që të ketë diskutime për ato produkte, nga instanca
kompetente të vlerësimit, por edhe ndërgjegjësim të secilit konsumues të tyre për
vlefshmërinë e tyre.
Për t’u mbrojtur nga lajmet e rreme, në disa
vende, si në SHBA, në Britaninë e Madhe e në disa vende të Bashkimit Evropian, ka
filluar një proces interesant i ofrimit të informatave të verifikuara, të
filtruara, përkundrejt një pagese shtesë, të veçantë. Ironia është se kjo ofertë
jipet nga mediumi që për publikun e gjerë publikon informata të paverifikuara
dhe të pasakta, ndërsa për ata që bëjnë pagesë shtesë, e ka ofertën e
informacionit të verifikuar. Nuk e di se sa e si mund ta zëvendësojë ixhmaja këtë
ofertë të medies komerciale për informacion të saktë, por mbetet të hulumtohetn
në këtë drejtim nga ana e ekspertëve.
Për të mos e pritur epilogun e pasigurt të
kësaj mundësie, secilit individ i mbetet në dispozicion arsyetimi i vet logjik,
pra ixhtihadi. Ixhtihadi është proces mendimi i domosdoshëm, në çdo rast, sepse
ixhtihadi është brenda kornizës themelore të fitras, natyrshmërisë brenda së
cilës njeriu është i krijuar. Nëse secili prej nesh ka vetërespektin e duhur
dhe përgjegjësinë e duhur, në pajtim me obligimet me të cilat na kanë ngarkuar
shpalljet hyjnore, atëherë në çdo rast të ballafaqimit me leximin ose
konsumimin e informatave, e përdorim
arsyen, logjikën. Në atë rast, shumë lehtë mund të detektohen informacionet e
pasakta, sepse ato në mënyrë të paevitueshme kanë brenda vetes elemente
senzacionalizmi, manipulimi, propagande, lufte speciale, indoktrinimi, spini,
reklame, promovimi të pamerituar. Arsyeja na sinjalizon në këto pika, nëse
mbështetemi në të dhe nëse ne nuk e tradhtojmë, për ndonjë arsye
mendjelehtësie. Thënë thjesht, nëse e fusim ixhtihadin si program detektues në
procesin e konsumimit dhe të vlerësimit të informatave dhe të ngjarjeve,
mundësia që mediet me produket e veta të na manipulojnë e të na mashtrojnë bëhet
minimale.
Sa i përket kiasit, pra, ngjashmërisë, ajo në rastin
e medieve dhe të produkteve të tyre praktikisht nuk mund të zbatohet fare. Pse?
Sepse kjo mënyrë e prodhimit, plasimit dhe konsumimit të informatave ka qenë e
panjohur në kohët e kaluara. Ky është fenomen i ri, tipik për periudhën
postmoderniste. Sigurisht që mund të nxirren asociacione të ndryshme, nga rasti
në rast, por jo që të bëhen masë e vlerësimit ose e veprimit në bazë të kiasit.
Talfiku
si problem yni i vjetër dhe si problem i ri në rastin e medies
Një gjë që duhet ta kemi para sysh në gjithë këtë
histori të edukimit medial është problemi ynë me talfikun, pra, me pasionin për
ta imituar në çdo gjë Perëndimin. Veçmas në rastin e medieve, kjo është një
qasje e gabueshme, sepse vetë Perëndimi është nën presion dhe viktimë e
agresiviteti të medies. Nën firmën e liberalizmit, konceptit liberal, “lesaise
fair” dhe vetërregullimit të medies, Perëndimi u ka lënë medieve dorë të lirë,
deri në atë masë sa ato janë shndërruar në fuqi sfiduese ndaj vetë shtetit e
shoqërisë, bile edhe ndaj lirisë. Prandaj, talfiku duhet të frenohet, duke i dhënë
shtysë më shumë rigjallërimit të etikës islame, si fuqi integruese dhe
universale. Pra, universalizmit islam e jo produkteve provinciale. Natyrisht as
dijeve të tejkaluara, që paketohen si gjoja islame, por nuk japin përgjigje
adekuate për problemet e reja, siç janë problemet që prodhon agresiviteti i
medieve në kohën tonë. Por duhet të frenohet gjithsesi dhe me vendosmëri
liberalizmi i pafrenuar, i cili i ka fshirë edhe kufijtë e lirisë së njeriut,
duke e vu në vështirësi edhe vetë natyrën e njeriut.


















