Connect with us

Kosovë

Analist Salihu denoncon folklorizmin për dialogun: Nuk na duhen isaboletinët sepse kemi humbur prej tyre

Publikuar

Analisti politik kosovar, Fitim Salihu, e ka bërë një status mjaft domethënës në profilin e tij në Facebook pas zhvillimeve të fundit politike që lidhen me çështjen e dialogut të Kosovës me Serbinë. 

Ndërsa është caktuar edhe data por edhe vendi i takimit për rinisjen e dialogut, kryeministri i mëparshëm Albin Kurti ka shprehur pakënaqësinë e tij duke thënë se “kjo i përshtatet Serbisë”.

Ndërkohë që sot në Kosovë ka ardhur i dërguari i posaçëm i BE-së për dialogun, Mirosllav Lajçak, shkruan Periskopi.

Salihu denoncon kulturën folklorike që sulmonte ndarjen e tokave shqiptare në të kaluarën nga fuqitë e mëdha. Ai ka përmendur madje edhe referenca historike për ta mbështetur idenë e tij.

“Isa Boletini vërtetë e ka nxjerrë alltinë në Konferencën e Londrës, por ka qenë Nikolla Pashiqi ai që me dinakëri ka ngadhënjyer në Londër dhe e ka rritur dyfish Serbinë. Kosova ka dëshmuar se nuk vuan për Isa Boletinë e për trimëri.” – ka thënë ndër tjerash Salihu. 

Kujtojmë që kryeministri i mëparshëm Albin Kurti fillimisht e kishte kundërshtuar kategorikisht futjen në negociata më Serbinë, por më pas e kishte pranuar një gjë të tillë nëse Serbia do t’i plotësonte disa kërkesa ku përfshihej gjetja e të pagjeturve dhe dëmshpërblimet për viktimat. Por, më vonë Kurti e ndryshoi sërish qëndrimin duke shprehur gatishmërinë të ulej në dialog por duke qenë kundërshtues i një marrëveshjeje eventuale të shpejtë.

Analist Salihu ka kërkuar që Kosova të mbështetet te aleatët e saj. /Periskopi 

Statusi i plotë i z.Salihu: 

Me gjasë, një shoqëri që “Ministrit n’Londër” e ka himn dasmash, nuk mund mund ta marrë më seriozisht se kaq rëndësinë e aleancave dhe diplomacisë.
Krejt historiografia jonë është e mbushur me vajtojca se si trojet shqiptare u copëtuan sepse nuk patëm aleatë të fuqishëm, në dallim prej fqinjve tonë. E, me të vërtetë, në krejt konferencat ndërkombëtare prej 1878-s e tutje jemi ndarë të mposhtur sepse nuk kemi pasur aleatë. Kur, më në fund, prej 1999-s e tutje, e kemi fituar atë aleat, ShBA-në, tani priremi mos ta marrim seriozisht dhe mos t’i besojmë.
Paçka se na duken të ngopura nga ambiciet e tyre, as shtetet fqinje që i kemi lakmuar se kanë pasur “vëllezër të mëdhenj” nuk janë ndarë gjithnjë të kënaqura me thërmijat që ua kanë hedhur aleatët. Serbia më 1913 ka synuar dalje në Durrës, kurse Greqia e ka kërkuar “Vorio-Epirin”. Por, Rusia u ka thënë se për aty nuk mund t’u rri mbrapa. Megjithatë, ndonëse nuk kanë marrë aq sa kanë mëtuar, ato e kanë pasur të qartë që kanë marrë më shumë se do të mund të merrnin të vetme pa Rusinë. Më mirë të marrësh diçka falë Rusisë se sa asgjë pa Rusinë.
Isa Boletini vërtetë e ka nxjerrë alltinë në Konferencën e Londrës, por ka qenë Nikolla Pashiqi ai që me dinakëri ka ngadhënjyer në Londër dhe e ka rritur dyfish Serbinë. Kosova ka dëshmuar se nuk vuan për Isa Boletinë e për trimëri. Kosovës deri më 1999 i ka munguar një Nikolla Pashiq që e kupton se lufta më e madhe kryhet me diplomaci. Pas 1999-s e kemi mposhtur Serbinë në çdo betejë diplomatike – edhe në Rambuje edhe në Vjenë. Tash po nis finalja. Le ta mposhtim edhe përfundimisht. Me diplomaci dhe jo me trimëri këngësh me çiftelia.