Lajme
Sulejmani: BDI ishte promotore e Ballkanit të Hapur

Zëdhënësi i VLEN-it, Driton Sulejmani, ka akuzuar BDI-në se ka përkrahur dhe promovuar iniciativën „Ballkani i Hapur”, për të cilën tha se udhëhiqej nga ish presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Duke folur në emisionin „ZOOM” të gazetarit Ersan Pajaziti në TVM2, Sulejmani iu përgjigj akuzave për ndikim dhe kapital serb, duke rikujtuar qëndrimin e BDI-së ndaj kësaj iniciative.
„Botërisht dihet se kryesues i atij projekti ka qenë Aleksandar Vuçiq dhe Serbia. Botërisht dihet se ai që e ka kundërshtuar publikisht ka qenë Albin Kurti”, deklaroi Sulejmani.
Ai përmendi edhe vizitën e Vuçiqit në Maqedoninë e Veriut, ku sipas tij, në aktivitetet e lidhura me Ballkanin e Hapur kanë qenë të pranishëm edhe Ali Ahmeti dhe ish-kryeministri Dimitar Kovaçevski.
Sulejmani gjithashtu pretendoi se gjatë funksionimit të kësaj iniciative janë ratifikuar rreth 20 marrëveshje, ndërsa shtoi se gjatë mandatit të BDI-së, ish-ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, ka zhvilluar 11 takime zyrtare me përfaqësues të qeverisë serbe.











