Connect with us

Lajme

Ramadani: Bërvenica dëshmoi fuqinë e shqiptarëve përtej partive

Publikuar

më

Analisti politik Ramadan Ramadani, në emisionin ZOOM në TVM2, e ka cilësuar rezultatin zgjedhor në Bërvenicë si një fitore të shqiptarëve përtej organizimeve partiake. Sipas tij, në rrethin e parë shqiptarët mundën VLEN-in, ndërsa në të dytin, përmes një përmbysjeje zgjedhore, arritën të mposhtin të gjithë pushtetin. Ramadani vlerëson se ky rezultat përcjell një mesazh të qartë pakënaqësie ndaj klasës aktuale politike.

Fitorja në Bërvenicë nuk është meritë e një partie politike, por e vetë shqiptarëve që u mobilizuan përtej përkatësive partiake. Kështu e interpreton analisti politik Ramadan Ramadani rezultatin e zgjedhjeve të parakohshme lokale në këtë komunë, gjatë paraqitjes së tij në emisionin ZOOM në TVM2.

Sipas Ramadanit, ajo që ndodhi në Bërvenicë duhet parë në dy dimensione: fillimisht si një refuzim i VLEN-it në rrethin e parë dhe më pas si një mobilizim më i gjerë kundër pushtetit në rrethin e dytë.

“Në Bërvenicë shqiptarët, pa parti, e mundën VLEN-in në rrethin e parë e mandej në të dytin, me përmbysje, krejt qeverinë!”, deklaroi Ramadani.

Ai theksoi se në këtë rezultat kanë kontribuar votues nga përkatësi të ndryshme politike, përfshirë edhe mbështetës të VLEN-it dhe LSDM-së, si dhe qytetarë që janë mobilizuar posaçërisht për këtë garë zgjedhore.

“Shqiptarët fitoren në Bërvenicë e kanë marrë pa parti, vetë, me gjoks, siç themi në shqip, me ardhje edhe të disave vetëm për atë natë dhe me votues edhe nga VLEN, por dhe nga LSDM, sepse aty do të mundej edhe krejt pushteti”, u shpreh analisti.

Ramadani komentoi edhe deklaratën e kryetarit të BDI-së, Ali Ahmeti, pas rezultatit zgjedhor, duke vlerësuar se mesazhi i tij kishte një dimension më të gjerë sesa mbështetja për një subjekt të caktuar politik.

Sipas tij, Ahmeti foli në emër të shqiptarëve pikërisht sepse ishte i vetëdijshëm se rezultati në Bërvenicë nuk mund t’i atribuohej vetëm një organizimi partiak.

“Mendoj se prandaj Ali Ahmeti aty foli gjëra në emër të krejt shqiptarëve kur tha se ‘ky vend është edhe i shqiptarëve autoktonë, jo vetëm i Hristijanit dhe Crvenkovskit’. Pra, foli ashtu sepse e dinte se shqiptarët e kanë sjellë këtë fitore e jo ndonjë tjetër organizim ose parti”, tha Ramadani.

Duke e vendosur zhvillimin në Bërvenicë në një kontekst më të gjerë rajonal, analisti bëri një lidhje edhe me protestat dhe pakënaqësitë qytetare në Shqipëri dhe Serbi.

Ai vlerësoi se mobilizimet qytetare në rajon po dëshmojnë një ndjenjë gjithnjë e më të theksuar të zhgënjimit ndaj elitave politike, duke iu referuar edhe deklaratës së kryetarit të PDSH-së se qytetarët mund t’u kundërvihen drejtpërdrejt politikanëve.

Sipas Ramadanit, zhvillimet në Bërvenicë mund të lexohen edhe si shprehje e një ndjenje braktisjeje nga klasa aktuale politike, ku qytetarët, pavarësisht bindjeve dhe përkatësive partiake, bashkohen rreth një qëllimi të përbashkët.

Në këtë kuptim, analisti vlerëson se mesazhi kryesor i zgjedhjeve në Bërvenicë shkon përtej fitores së një kandidati: votuesit mund të mobilizohen edhe jashtë strukturave partiake dhe të ndryshojnë raportet politike, madje edhe përballë një pushteti të bashkuar.

NA NDIQ NË FACEBOOK