Connect with us

Kosovë

Në vitin 1992, Hashim Thaçi, në cilësinë e liderit studentor, nderonte guximin dhe sakrificën e heronjve Afrim Zhitia dhe Fahri Fazliu

Publikuar

më

Më 2 nëntor 1989, në Kodrën e Diellit në Prishtinë, ranë heroikisht Afrim Zhitia dhe Fahri Fazliu, dy veprimtarë të çështjes kombëtare, të cilët me qëndresën dhe sakrificën e tyre u bënë pjesë e historisë së përpjekjeve të popullit shqiptar për liri dhe pavarësi.

Në 37-vjetorin e rënies së tyre, kujtohet sakrifica e dy heronjve, të cilët përmes veprimtarisë atdhetare dhe rezistencës kundër regjimit serb, lanë një trashëgimi që u bë frymëzim për brezat që pasuan.

Rëndësia e veprës së tyre ishte vënë në pah edhe në përkujtimet e organizuara në vitet pas rënies. Më 3 nëntor 1992, me rastin e trevjetorit të rënies së Afrim Zhitisë dhe Fahri Fazliut, Shoqata e Historianëve të Rinj të Kosovës kishte organizuar një orë përkujtimore historiko-letrare në Institutin Albanologjik në Prishtinë.

Në këtë aktivitet, ndër folësit kryesorë ishin lideri studentor i asaj kohe, Hashim Thaçi, dhe akademiku Rexhep Qosja. Për këtë ngjarje kishte raportuar gazeta “Bujku”, duke theksuar se aktiviteti kishte nisur me një minutë heshtjeje në nderim të dy dëshmorëve.

Duke folur për jetën dhe veprimtarinë e tyre, akademik Rexhep Qosja kishte theksuar se vrasja e Afrim Zhitisë dhe Fahri Fazliut kishte për qëllim edhe shuarjen e idealit të tyre për liri dhe pavarësi.

“Në vazhdim, akademik dr. Rexhep Qosja, duke folur për rrugën jetësore të këtyre dëshmorëve dhe lëvizjen gjithëpopullore, tha se ata i vranë me qëllim që të vrasin idealin e tyre, idealin e lirisë dhe të pavarësisë, por nuk ka armë, polici e ushtri që mund të vrasë gjakimin e popullit drejt lirisë”, raportonte gazeta “Bujku”.

Në të njëjtin aktivitet, Qosja kishte përcjellë edhe mesazhin se, pavarësisht rrethanave të vështira, populli shqiptar nuk ishte dorëzuar në përpjekjet për liri.

Edhe Hashim Thaçi, në shkrimet e tij të vitit 1992, kishte kujtuar dhe vlerësuar veprimtarinë e Afrim Zhitisë, Fahri Fazliut dhe Fadil Vatës.

Në njërin prej këtyre shkrimeve, Afrim Zhitia portretizohej si një veprimtar që kishte mishëruar rezistencën dhe përkushtimin ndaj çështjes kombëtare. Aty përmendeshin edhe përpjekjet e tij për organizimin e qëndresës, përfshirë planet e hartuara së bashku me shokun e burgut, Fadil Vatën.

Duke kujtuar rënien e dy heronjve, Thaçi në cilësinë e liderit studentor kishte shkruar:

“Në Kodër të Diellit luftuan dy zemra të brumosura me idealin e lartë në luftë për çlirim nga pushtuesi; ranë dy trima, pushuan dy zemra, por nuk pushoi lufta. Afrim Zhitia dhe Fahri Fazliu, me veprën e tyre heroike dhe të pavdekshme, vetëm sa e frymëzuan dhe fuqizuan rininë për të dalë dhe për të rezistuar edhe më fuqishëm, për të vazhduar amanetin e tyre, i cili ishte: përpjekje dhe qëndresë deri në çlirim”, kishte shkruar Thaçi në vitin 1992.

Tridhjetë e shtatë vjet pas rënies së tyre, Afrim Zhitia dhe Fahri Fazliu kujtohen për veprimtarinë, qëndresën dhe sakrificën e tyre. Emrat e tyre mbeten pjesë e kujtesës historike të Kosovës dhe e rrugëtimit drejt lirisë dhe pavarësisë./Demokracia

NA NDIQ NË FACEBOOK