Connect with us

Religjion

Kur njeriu mendon se është Zot!

Publikuar

më

Falënderimi i takon Allahut, Zotit të botëve! Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të Dërguarin e fundit të Allahut dhe të dashurin e Tij, Muhamedin ﷺ, mbi shokët e tij, familjen e tij dhe mbi të gjithë robërit e mirë të Allahut!

Vëllezër të dashur!

Ia përkujtoj vetes dhe juve besimin e palëkundur në Allahun, në melekët e Tij, në Librat e Tij, në të Dërguarit e Tij, në Ditën e Gjykimit dhe në caktimin e Allahut.

Një nga rreziqet më të mëdha që mund ta godasin njeriun është kur Allahu i jep pushtet, pozitë, pasuri apo ndonjë mirësi tjetër, ndërsa ai, për shkak të kësaj, mendon se është më i mirë se të tjerët dhe se askush nuk mund t’i bëjë asgjë.

Pikërisht për këtë, Kurani na i sjell dy shembuj të tillë. I pari është Faraoni i kohës së Musait (a.s.), ndërsa i dyti është sundimtari i kohës së Ibrahimit (a.s.). Sipas transmetimeve të tefsirit, emri i këtij sundimtari ishte Nemrudi.

Për Faraonin kemi dëgjuar shumë herë, prandaj sot do të flasim për Nemrudin, ndonëse historia e tyre, sëmundja e tyre shpirtërore dhe fundi i tyre janë pothuajse të njëjtë.

Shkenca e tefsirit thotë se Nemrudi ishte njëri prej sundimtarëve të mëdhenj në Tokë. Ai sundoi për 400 vjet dhe, për këtë arsye, u bë arrogant dhe mendjemadh. Ishte tiran dhe zullumqar i madh. Ndihej aq i fuqishëm, saqë e shpalli veten zot dhe i ftoi njerëzit që ta adhuronin. Shumica e njerëzve iu bindën, sepse kishin frikë prej tij. Frikësoheshin se mos u shkaktonte ndonjë të keqe ose se mos i privonte nga ushqimi.

Transmetohet se njerëzit shkonin tek ai për ta siguruar ushqim. Një herë, bashkë me ta, u nis edhe Ibrahimi (a.s.). Kur kalonin pranë Nemrudit, ai i pyeste: «Kush është Zoti juaj?» Ata përgjigjeshin: «Ti!»

Kur kaloi pranë tij Ibrahimi (a.s.), Nemrudi e pyeti: «Kush është Zoti yt?» Ibrahimi (a.s.) u përgjigj: «Ai që jep jetën dhe vdekjen.»

Atëherë Nemrudi tha: «Edhe unë jap jetë dhe vdekje.»

Për ta dëshmuar vërtetësinë e fjalëve të tij dhe fuqinë që pretendonte se kishte, Nemrudi u tha njerëzve të vet që t’ia sillnin dy persona. Njërin e vrau, ndërsa tjetrin e la të gjallë. Pastaj i tha Ibrahimit (a.s.): «A nuk e pe?»

Ibrahimi (a.s.) i tha: «Allahu e bën Diellin të lindë nga lindja, prandaj ti bëje të lindë nga perëndimi!» Atëherë tirani mbeti pa përgjigje.

Allahu i Madhëruar thotë: «A nuk ke dëgjuar ti (Muhamed) për atë që bëri fjalë me Ibrahimin për Zotin e tij, sepse Allahu i kishte dhënë pushtet? Kur Ibrahimi i tha: «Zoti im është Ai që jep jetë dhe shkakton vdekje» – ai u përgjigj: «Edhe unë mund të jap jetë e të shkaktoj vdekje.» Ibrahimi pastaj i tha: «Allahu e sjell Diellin nga lindja. Sille ti nga perëndimi!» Atëherë, ai (mohuesi) mbeti me gojën hapur. Allahu nuk i udhëzon ata që janë keqbërës.» (El-Bekare, 258).

Vëllezër të dashur!

Le të shohim se deri në çfarë mase mund të mashtrohet njeriu nga ajo që posedon. Allahu i jep pushtet, ndërsa ai mendon se pushteti i tij është dëshmi se qëndron mbi të tjerët. Allahu i jep mundësinë t’ua lehtësojë jetën njerëzve të tjerë, ndërsa ai mendon se mund t’i përcaktojë fatet e tyre.

Në transmetime thuhet më tej se Nemrudin e mbyti një mushkonjë e vogël, e cila i hyri përmes hundës në kokë. Ajo mushkonjë e vogël i shkaktonte aq shumë dhimbje, saqë e vetmja mënyrë për t’ia lehtësuar vuajtjet, deri në vdekjen e tij, ishte që njerëzit ta godisnin në kokë me ndonjë send.

Vëllezër të dashur!

Nemrudi kishte fuqi, ushtri, shërbëtorë, pasuri dhe pushtet; kishte gjithçka që mund të ofronte kjo botë. Por, përmes këtij shembulli të mushkonjës së vogël, Allahu dëshironte t’ia tregonte atij, por edhe neve, se sa të dobët dhe të pafuqishëm jemi ne si njerëz dhe sa të varur jemi prej Allahut.

Tani, vëllezër të dashur, le ta pyesim veten: A ishin Nemrudi dhe Faraoni vetëm njerëz të një të kaluare të largët, apo edhe sot, në mes nesh, ka njerëz që sillen ngjashëm me ta?

Njeriu nuk ka nevojë ta ketë kurorën e Faraonit, ushtrinë dhe një shtet të madh që të bëhet mendjemadh. Ndonjëherë mjafton të marrë pak pushtet, të bëhet drejtues i diçkaje, të ketë pak më shumë para, të fitojë ndonjë pozitë ose të ndiejë se njerëzit i bëjnë pak lajka, dhe menjëherë fillon të mendojë se është më i rëndësishëm dhe më i mençur se të tjerët.

Mjafton që në shtëpinë e tij askush të mos guxojë të thotë asgjë, përveç tij. Mjafton që punëtorit të mos ia japim të drejtën që i takon, vetëm pse e dimë se ai nuk guxon të na kundërshtojë. Mjafton ta poshtërojmë dikë vetëm pse është më i varfër, më i dobët ose më pak i shkolluar se ne. Mjafton ta refuzojmë pajtimin, duke pritur që pala tjetër të vijë e para, ndonëse e dimë se gabimi është yni.

Vëllezër të dashur!

Allahu na ka treguar, përmes shembullit të Nemrudit dhe Faraonit, se si përfundojnë ata që janë mendjemëdhenj.

Prandaj, të mos mashtrohemi nga pozita jonë, nga pasuria, dija apo nga fuqia jonë. Të gjitha këto janë mirësi që na i ka dhënë Allahu, por asnjëra prej tyre nuk do të thotë se jemi më të mirë se dikush tjetër.

Nëse kemi më shumë, duhet të jemi më mirënjohës. Nëse kemi pushtet, duhet të jemi më të drejtë. Nëse kemi dije, duhet të jemi më të përulur. Nëse njerëzit na respektojnë, duhet të jemi të denjë për atë respekt.

Dhe, në fund, ta kujtojmë atë fjalën tonë popullore: «Mund të bësh si të duash, por nuk do të mundesh për aq kohë sa të duash!»

Ndërsa Pejgamberi (a.s.) ka thënë: «Nuk do të hyjë në Xhenet ai në zemrën e të cilit gjendet qoftë edhe një grimcë mendjemadhësie.»

Le t’i lutemi Allahut të Madhëruar që të na ruajë nga mendjemadhësia, vetëpëlqimi dhe padrejtësia.

I lutemi Atij që të na bëjë mirënjohës kur na jep, durimtarë kur na sprovon dhe të përulur ndaj robërve të Tij.

I lutemi Allahut që të na japë forcë për ta pranuar të vërtetën, sado e vështirë që të jetë ajo për ne, dhe që t’i pranojmë gabimet tona para se të bëhet tepër vonë. Amin!

Burimi: https://dzematdonjevukovije.org//

Përshtati në shqip: Miftar Ajdini

(Islampress)

NA NDIQ NË FACEBOOK